Vdekje e dyshimtë në Prishtinë

Një 37-vjeçare është gjetur sot pa shenja jete në afërsi të Fakultetit Teknik në Prishtinë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete, në afërsi të Fakultetit Teknik në Prishtinë”, ka thënë Ahmeti.

E njëjta ka treguar se Policia sapo ka pranuar informatën ka dalë në vendin e ngjarjes dhe se mjekët emergjent kanë konstatuar vdekjen e viktimës, 37 vjeçare.

“Aktualisht policia me kujdes të shtuar ka nisur një hetim për rastin si vdekje e dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike, të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë Ahmeti.