Thaçi nuk e mohon që e "këshilloi" Haxhi Shalën ta votojë Qeverinë Hoti

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, nuk e ka mohuar që ka ndikuar që deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, të votojë pro Qeverisë së re.

Shala deklaroi në seancën e sotme të Kuvendit se Thaçi dhe Ramush Haradinaj e kishin vizituar dje në shtëpinë e tij e që kjo vizitë ia ndërroi qëndrimin e tij për ta votuar Qeverinë në krye me Avdullah Hotin.

Thaçi tha se jo vetëm deputetit Shala por është i gatshëm që të gjithëve t’u japë rekomandime “për të mirën e vendit”.

“Unë jam president i vendit edhe e kam obligim për m’u taku me të gjithë bartësit e institucioneve e çdo deputet ka legjitimitetin e vet dhe unë nuk refuzoj së diskutuari për çështje madhore me të gjithë që pajtohen dhe ata që nuk pajtohen. Jo rrallë unë jap këshilla, rekomandime secilit që kërkon nga ana ime rekomandime kur i bie mirë vendit, demokracisë dhe zhvillimit, dhe jo vetëm deputetit në fjalë por të gjithëve që kanë nevojë për këshillë, unë do ta këshilloja që të votojnë për demokracinë, shtetin, për zhvillimin ekonomik. Dhe, mendoj se ndërmarrja kriminale e z. Kurti, Haki Abazit, Albulena Haxhiut, Xhelal Sveçla dhe Arben Vitisë është jetike që definitivisht përmes përfaqësuesve legjitimë mori përgjigjen e duhur, adekuate e shumë të drejtpërdrejt për të shkuar në shtëpi”, e përfundoi Thaçi duke qeshur.

KALLXO.com raportoi sot se konferenca e Thaçit u shoqërua edhe me thirrje nga një qytetar duke e quajtur “hajn”.