Lajm në zhvillim - Helen Fraser, ekspertja e linguistikës forenzike vazhdon dëshminë në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po vazhdon dëshminë ekspertja e linguistikës forenzike, Helen Fraser. Seanca e sotme është vazhdimësi e seancës së nisur më 11.05.2026, ku Frezer u ballafaqua me pyetjet e mbrojtjes në rastin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve për pengim të administrimit të drejtësisë.

16:34- Fraser: Shpresoj se Gjykata do ta marrë parasysh raportin tim

Raportin që e ka përgatitur nga transkriptat e audio-incizimeve të vizitave që i janë bërë Hashim Thaçit në shtator dhe tetor 2023, nuk e ka rishikuar ndonjë koleg i ekspertes së linguistikës forenzike, Helen Fraser, e cila për dy ditë rresht dëshmoi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Prokurori i Prokurorisë Speciale ia ka përmendur ekspertes Fraser kodin e etikës të Shoqatës Ndërkombëtare për Forenzikën Fonetike dhe Akustikën (IAFPA), në të cilën ajo tha se është qe 30 vjet anëtare.

Në këtë kod të etikës, sipas prokurorit, thuhet se raporti i ekspertit duhet të rishikohet nga një koleg i tij.

“Unë shpresoj se Gjykata [Speciale] do ta marrë parasysh raportin tim, sepse të dhënat në atë raport janë relevante për këtë çështje gjyqësore.” – tha Fraser.

Sophie Menegon, mbrojtësja e Hashim Thaçit ia ka parashtruar asaj disa pyetje plotësuese.

“Unë i kam respektuar kodet. Kam qenë pjesë e hartuesve të kodit të sjelljes [të IAFPA]. Unë nuk e kam analizuar gjuhën [shqipe] në audio-incizime… Unë nuk e flas shqipen dhe jam e kufizuar në këtë aspekt. Mua më është kërkuar të jap mendimin tim prej eksperteje lidhur me natyrën e audio-incizimeve dhe i qëndroj çdo gjëje që kam thënë në raport” – ka thënë Fraser.

Ajo kujtoi një çështje gjyqësore më 2001, në të cilën tha se gjykatësi i rastit e kishte marrë parasysh raportin e saj. Ishte një çështje që kishte pasur audio-incizime të fshehta.

Për këtë rast dhe të tjerë që përmendi Fraser tha se kishte pasur transkriptim të gabuar.

Për një pjesë të audio-incizimeve nga vizitat e Thaçit më 2023, ajo tha se kanë qenë të padeshifruara.

“Cilësia e incizimit në audio ishte e padeshifrueshme në një masë të konsiderueshme… Duhet të jemi të sigurt që informacioni kontekstual i jashtëm të jetë i besueshëm.” – shtoi Fraser.

Gjykatësi Christopher Gosnell e ka pyetur atë nëse ka rregullore apo udhëzime që shtjellojnë se çfarë fjalësh tjera mund të përdoren në një kontekst të brendshëm.

“Sa më i gjatë të jetë një incizim në forenzikë, aq më shumë fjalë t’i mbledhë në mënyrë që ti ta nxjerrësh kontekstin për të prodhuar transkriptën.“ – pyeti Gosnell.

Fraser iu përgjigj gjykatësit duke i theksuar se transkriptimi duhet të bëhet nga një ekspert i pavarur.

“Negativja është se nëse ke bërë gabime në fjalë të caktuara, këto fjalë marrin tjetër rëndësi, nëse volumi është më i madh.” – tha Froser.

14:15 – Fraser kishte dëshmuar në rastin e David Eastman në Australi, i burgosuri që u shpall i pafajshëm pas rreth 20 vjetësh burgim 

Prokuroria Speciale e ka sfiduar eksperten e linguistikës forenzike, Helen Fraser, me pyetje tjera duke u interesuar edhe për dëshmitë që ajo kishte dhënë më parë në raste të ndryshme.

Kryesisht, prokurori i Prokurorisë Speciale u fokusua në rastin e David Eastman të vitit 2018 kur ajo kishte dëshmuar.

David Eastman pas pothuajse 20 vitesh në burg, i akuzuar se kishte vrarë një zyrtar të lartë policie në Australi, më 2018 u shpall i pafajshëm dhe iu ofrua kompensim.

Fraser tha se dëshmia e saj në atë kohë për këtë rast ishte pjesë e rëndësishme e rezultatit të gjykimit përfundimtar.

“Nuk jam gjithmonë në dijeni se si dëshmia ime trajtohet në Gjykatë. Jam në dijeni se për vendime gjyqësore jam komentuar ndoshta për gjëra negative lidhur me disa gjëra që kam thënë në raporte…” – deklaroi Fraser.

Ajo u pyet se për cilat aktvendime e kishte fjalën.

Në mesin e tyre u përmend rasti “Eastman” më 2018, me ç’rast u tha se ky rast ishte një gabim gjyqësor.

Fraser tregoi se ka shkruar raporte për rreth 100 çështje gjyqësore dhe pjesa dërrmuese e tyre, sipas saj, nuk janë diskutuar në gjykatë.

“Jam paraqitur në gjykatë ndoshta 12 herë, për të diskutuar për raportet që kam bërë… Unë jam hulumtuese dhe shkencëtare, jam e interesuar që transkriptimi i audiove të jetë i besueshëm dhe se si të përdoret kjo në gjykimet profesionale si provë.” – shtoi ajo.

Gjykatësi Christopher Gosnell i kërkoi prokurorit që vazhdimi i seancës të jetë më efikas dhe të përmbyllet dëshmia e Fraser-it sot, më 12.05.2026.

“Ky dëshmitar ka pasur biseda të tjera lidhur me materialet që kanë të bëjnë me raportet e saj… Është një fakt i rëndësishëm që dëshmitarja i ka treguar mbrojtjes për trajtimin negativ për një dëshmi të saj në Australi. Ata nuk na e kanë dhënë këtë informacion, është dashur ta gjejmë vetë. Dëshiroj të na jepet mundësia të pyesim sa më shumë.” – tha prokurori.

13:34 – Prokurori pyet eksperten Fraser nëse përdorimi i Inteligjencës Artificiale ishte thelbësor për përfundimet e saj

Në vizitën e Hajredin Kuçit bërë Hashim Thaçit, më 03.09.2023, prokurori i Prokurorisë Speciale u interesua ta kuptoj se si ekspertja e linguistikës forenzike, Helen Fraser i ka dalluar nga audio-inçizimi njërin nga tjetri kur kanë folur mes vete.

Ekspertja Fraser ia ka shpjeguar prokurorit se si e kishte kuptuar kur po fliste Thaçi e kur Kuçi, pasi prokurori i tha se disa herë ishte përmendur emri ‘Hajro’.

“Gjatë bisedave të ndryshme – kjo është një nga gjërat që do ta shikoja – kur bëhet atribuimi i folësve dhe materialeve të ndryshme, përgatitet një tabelë ku hidhen të dhënat – si emrat – se si u janë referuar personave. Çdo informacion kontekstual tjetër që do të mund të na shërbente, cilësia e zërit… Të gjitha këto do të na shërbenin për të dalluar folës të ndryshëm.” – shpjegoi Fraser.

Fraser e ka pohuar se është anëtare e shumë shoqatave linguistike, në mesin e tyre 30 vjet anëtare në Shoqatën Ndërkombëtare për Forenzikën Fonetike dhe Akustikën (IAFPA).

Sipas kodit të sjelljes të IAFPA, prokurori i citoi se eksperti duhet t’i pranojë vetëm çështjet që janë pjesë e ekspertizës së tij, e në rastin e mbrojtjes së të akuzuarve shqiptarë, Fraser nuk e ka të njohur gjuhën shqipe.

Ajo tha se platformat e inteligjencës artificiale i ka përdorur si tregues, por nuk i ka mbështetur përfundimet e saj në to.

Sophie Menegon, mbrojtësja e Hashim Thaçit ka ndërhyrë duke kërkuar që prokurori të mos e pyes disa herë dëshmitaren Fraser nëse programet e inteligjencës artificiale kanë qenë thelbësore për përfundimet e saj.

“Konteksti i jashtëm është i domosdoshëm për përfundimet e raportit tim. Por, ju duket se po pretendoni se teksti nga inteligjenca artificiale është i rëndësishëm për përfundimin tim… Nga ekspertiza ime nga incizimet, po e theksoj se Inteligjencën Artificiale e kam përdorur sa për ilustrim.. Ajo çfarë dua të theksoj është se ky incizim në audio nuk mund të transkriptohet pa kontekst të jashtëm.” – u përgjigj Fraser.

E pyetur nëse ishin përmendur emra dëshmitarësh në dy vizitat e Thaçit, ajo tha se ishin përmendur disa, por nuk ishte në dijeni nëse ishin të dëshmitarëve.

Po ashtu në kodin e sjelljes së IAFPA, prokurori i Prokurorisë Speciale tha se përmendet që duhet të kihet kujdes në përdorimin e programeve të inteligjencës artificiale si ChatGPT.

Fraser e pranoi se programet që ka përdorur në përkthimin e audio-incizimeve janë të ndërlidhura me ChatGPT.

“Nuk jam mbështetur kryesisht në ChatGPT, thjeshtë e kam përdorur si pjesë të vlerësimit të përgjithshëm… Nuk e flas shqipen dhe nuk kam pasur kontakt me folës të gjuhës shqipe.” – tha Fraser.

12:21 – Ekspertja Fraser për raportin e saj nga audiot e vizitave për Thaçin: Nuk jam mbështetur tërësisht në ChatGPT

Ekspertja e linguistikës forenzike, Helen Fraser është pyetur nga Prokuroria Speciale në lidhje me përfundimet që kishte shkruar në raportin e saj nga audio-inçizimet që ia kishte dhënë mbrojtja e të akuzuarve.

Në një paragraf në raportin e Fraser, Prokuroria përmendi se ajo kishte shkruar “E kam të pamundur të vlerësoj mbështetshmërinë e këtyre përkthimeve mbështetur në informacionin që më është dhënë.”

Me këtë rast, ajo u pyet për cilat përkthime e kishte fjalën.

Fraser deklaroi se e kishte fjalën për përkthimet nga vizitat e datave 03.09.2023 dhe 06.10.2023 në qendrën e paraburgimit.

Sipas Prokurorisë Speciale, Hajredin Kuçi e vizitoi Hashim Thaçin në qendrën e paraburgimit më 03.09.2023, kurse më 06.10.2023, Thaçin e vizituan Isni Kilaj e Vllaznim Kryeziu.

Ekspertja Fraser pasi nuk e kupton gjuhën shqipe ka deklaruar se për përkthimin e audio-inçizimeve nga vizitat ndaj Thaçit kishte përdorur inteligjencën artificiale (ChatGPT).

“Unë jam përqendruar tek përkthimet që kam marrë… Besoj se doli qartë se nuk kam pasur akses në më tepër se kaq dokumente, gjithçka që kam shqyrtuar është pjesë e raportit tim dhe jam mbështetur në informacionet që më ka dhënë mbrojtja.” – tha Fraser.

Ajo u pyet nëse dëgjimi dhe kuptimi që ka nxjerrë nga përkthimet që i ka bërë me ChatGPT janë të rëndësishme për të vlejtur përfundimet e saj.

“Nuk jam mbështetur tërësisht në ChatGPT, por kam rishikuar audion me ekspertizën time në audio-forenzikë dhe në transkriptimet forenzike.” -u përgjigj Freser.

Pasi prokurori i Prokurorisë Speciale kërkoi ta pyes Fraser për programet e inteligjencës artificiale që kishte përdorur për ta shkruar raportin e saj, duke i përmendur me emra, gjykatësi Christopher Gosnell vendosi që seanca të jetë private, pra nuk u nda me publikun përmbajtja e pyetjeve dhe deklaratave në këtë pjesë.

11:18 – Fraser: Është vështirë të transkriptohet në mënyrë objektive nga një audio

Ekspertja e linguistikës forenzike, Helen Fraser, gjatë vazhdimit të dëshmisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është pyetur nga Prokuroria Speciale.

Fraser është pyetur për shqetësimet që kishte për transkriptën e Zyrës së Prokurorisë Speciale në lidhje me provat audio, të cilat i ka shprehur në dëshminë e saj, më 11.05.2026 duke dhënë komente kontekstuale, mes të cilave edhe komente për zhurmën e letrave.

Ajo tha se ka dashur të thotë se mund të ketë pasur zhurmë të kthimit të faqeve dhe që ka qenë e paqartë nga e dinin personat që ktheheshin faqet.

“Disa tinguj janë objektivisht të transkriptueshëm, të tjerë jo. Është vështirë të transkriptohet në mënyrë objektive nga një audio. Koncepti është i vështirë… Kam thënë shkon përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme.” – tha Fraser.

Sipas Fraser, personave që hyjnë e dalin nga dhoma, interpretimi që i është bërë disa tingujve, shkon përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme nga një audio.

“Nëse dëgjon një zhurmë fëshfërimash, si mund ta dish se është me siguri fëshfërimë letre apo është e një sendi, objekti tjetër. Këto të gjitha janë interpretime.” – shtoi ajo.

E pyetur nëse një transkriptues i Zyrës së Prokurorisë Speciale e ka zbardhur siç duhet në transkriptë atë që ka dëgjuar, ajo e pohoi.

Fraser po ashtu u pyet edhe për materialet që kishte marrë nga mbrojtja e të akuzuarve dhe që kishte përpiluar një raport nga to. Ajo tha se kishte marrë komente dhe udhëzime nga mbrojtja në lidhje me raportin e saj.

“Kryesisht më bën pyetje sqaruese… Nuk mund të jap shembull [të pyetjeve sqaruese].” – tregoi Fraser për pyetjet që ia kishte bërë mbrojtja.

Ajo e ka pranuar se kishte marrë 6 audio të papërforcuara nga mbrojtja dhe secila prej dosjeve kishte audio nga 5 minuta.

“Mund të kem marr edhe të tjera, që nuk i kam përmendur në raport. Jam përpjekur t’i hedh në raport të gjitha materialet që kam marr, por nuk më kujtohet me saktësi, mund të ketë pasur të tjera.”- ka thënë Fraser.

“Kam shkarkuar shumë materiale, me sinqeritet nuk më kujtohet numri i saktë, sepse nuk i kam parë të gjitha materialet e mëparshme.” – shtoi ajo.

Fraser po ashtu tregoi se kishte marrë segmente të audioinçizimeve nga 03.09.2023 deri më 06.10.2023.

09:08- Helen Fraser, ekspertja e linguistikës forenzike vazhdon dëshminë në Hagë 

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, edhe sot pritet të vazhdojë dëshminë e saj ekspertja e linguistikës forenzike, Helen Fraser. Seanca e sotme do të jetë vazhdimësi e dëshmisë së nisur dje më 11.05.2026, ku ekspertja u ballafaqua me pyetjet e mbrojtjes në rastin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve për pengim të administrimit të drejtësisë.

Dëshmia e Fraser deri më tani pranoi se nuk e njeh gjuhën shqipe dhe se ka përdorur mjetet e Inteligjencës Artificiale, si ChatGPT, për të analizuar materialet audio të Prokurorisë.

Po ashtu, ajo ka “kritikuar” metodologjinë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) lidhur me “përforcimin” e audios, duke e quajtur atë një teknikë që mund të dëmtojë vërtetësinë e bisedave.

Seanca pritet të nis në orën 09:45, por transmetimi publik bëhet me 45 minuta vonesë.

Deshminë e Helen Fraser në ditën e parë mund ta lexoni këtu. 

Kjo seancë vazhdon në rastin ku për pengim të drejtësisë po gjykohen, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

Gjykimi për këtë rast ndodhet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.

Më 10.202026, ish-udhëheqësi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe veterani i UÇK-së, Fadil Fazliu, janë liruar nga paraburgimi në procesin gjyqësor në Hagë, ku është i akuzuar edhe Hashim Thaçi për pengim të administrimit të drejtësisë.

I akuzuari për mos bindje të urdhrave të Gjykatës, Hajredin Kuçi më 09.12.2024 është deklaruar se nuk e pranon fajësinë lidhur me dy pikat e aktakuzës që Zyra e Prokurorisë së Specializuar i vë në barrë.

Fajësinë nuk e ka pranuar as Fadil Fazliu për ndikim në dëshmitarë më 08.12.2024. I akuzuari Isni Kilaj në seancën e shqyrtimit fillestar për dy pika të aktakuzës është deklaruar se nuk e pranon fajësinë më 09.12.2024.

Ndërsa Ish-udhëheqësi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, nuk ishte deklaruar rreth aktakuzës së ngritur ndaj tij për ndikimin mbi dëshmitarët më 08.12.2024. Njëjtë si Smakaj kishte vepruar edhe Hashim Thaçi, i cili nuk kishte pranuar të deklarohet në seancën e parë ndaj tyre.

Aktakuza për “Udhëzimet” e Thaçit për të ndikuar në dëshmitarë

Zyra e Prokurorit të Specializuar në aktakuzë ka përmendur disa takime në të cilat pretendojnë se janë dhënë udhëzime nga ish- presidenti Hashim Thaçi ndaj Kilajt, Fazliut, Kuçi e Smakajn.

Më 02.07.2023, ZPS thotë se Fadil Fazliu, vizitoi Hashim Thaçin në qendrën e paraburgimit të DHSK-së.

Gjatë vizitës, Thaçi pretendohet se i dha informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së në  çështjen Thaçi dhe të tjerët dhe udhëzime të hollësishme që Fadil Fazliu duhej  t’ia përcillte dëshmitarit të ZPS-së, se si duhej të dëshmonte dëshmitari 1.

Dosja tregon tutje edhe se Thaçi dhe Fazliu diskutuan edhe për mënyrën e dhënies së udhëzimeve të Thaçit dhe ranë në marrëveshje që djali i Fadil Fazliut, Fahri Fazliu, të kontaktonte dëshmitarin 1 për caktimin e një  takimi. Fadil dhe Fahri Fazliu ishin takuar më parë me dëshmitarin 1 më 2 qershor 2023, pasi kishin shkëmbyer mesazhe në telefon më 26 qershor

Më 03.07.2023 dosja tregon se, Fahri Fazliu shkëmbeu mesazhe me dëshmitarin 1  për organizimin e një takimi midis Fahri, Fadil Fazliut dhe dëshmitarit 1 më vonë atë ditë, në përputhje me udhëzimet e Hashim Thaçit dhe Fadil Fazliut.

Sipas aktakuzës, në kohën e kryerjes së kësaj vizite në qendrën e paraburgimit dhe të shkëmbimit të mesazheve, dëshmitari 1 nuk ishte konfirmuar publikisht nga DHSK-ja apo ZPS-ja si dëshmitar në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Intervistat e dëshmitarit 1 me ZPS-në ishin klasifikuar si konfidenciale dhe DHSK-ja ose ZPS-ja i ishin referuar atij publikisht, ose në një mënyrë që nuk zbulonte statusin e tij si dëshmitar i ZPS-së, ose me kodin e tij të dëshmitarit në proces.

Tutje dosja përshkruan edhe takimin mes Hashim Thaçit dhe Hajredin Kuçit.

Aktakuza shkruan se më 03.09.2023, Hajredin Kuçi vizitoi Hashim Thaçin në qendrën e paraburgimit. Gjatë vizitës Hashim Thaçi i dha Hajredin Kuçit, udhëzime të hollësishme për t’ia përcjellë dëshmitarit të ZPS-së, ‘dëshmitari 5’, ose ‘dëshmitari 2’ ose ‘dëshmitari 6’) lidhur me si duhej të dëshmonte çdo dëshmitar.

Aktakuza përshkruan se Kuçi në mënyrë të përsëritur konfirmoi dhe/ose u pajtua me udhëzimet e Thaçit lidhur me ndikimin ndaj dëshmitarëve dhe dha sugjerime në lidhje me udhëzimet që duhej t’u jepeshin dëshmitarit 5 dhe dëshmitarit 6. Hajredin Kuçi sipas ZPS gjithashtu konfirmoi se kishte takuar më parë dëshmitarin 5 të paktën një herë për të diskutuar dëshminë e dëshmitarit 5.

Një tjetër takim është edhe ai më 09.09.2023, kur Bashkim Smakaj, Blerim Shala, Artan Behrami dhe të tjerë vizituan  Thaçin në qendrën e paraburgimit.

Gjatë vizitës, gjithnjë sipas aktakuzës,  Thaçi dha informacion konfidencial për dëshmitarë të ZPS-së në çështjen Thaçi dhe të tjerët dhe udhëzoi në mënyrë të përsëritur një ose më shumë prej vizitorëve që t’i jepnin udhëzime dëshmitarit 2 se si të dëshmonte në çështjen Thaçi dhe të tjerët.

Thaçi sipas ZPS-së, e cilësoi dëshminë e dëshmitarit 2 si vendimtare dhe dha udhëzime të hollësishme se çfarë duhej të thoshte dëshmitari 2 gjatë dëshmisë së tij.

Tutje dosja përshkruan se Thaçi u kërkoi vizitorëve që të vinin ta takonin sërish pas një muaji në qendrën e paraburgimit.

Tutje ZPS në aktakuzë thotë se Bashkim Smakaj dhe Artan Behrami u takuan sërish me Thaçin, më 07.10.2023, ku Thaçi dha udhëzime të mëtejshme se si duhej të dëshmonte dëshmitari.

ZPS thotë se gjatë kontrollimit të makinës së Smakaj më 30.10.2023, ZPS-ja gjeti një dokument ku trajtohej tema e dëshmisë që pritej të jepte dëshmitari 2, me një version të ngjarjeve që përputhej me udhëzimet e dhëna nga Thaçi gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit më 09.09.2026 dhe 07.10.2023.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se gjatë të gjithë këtyre ngjarjeve, dëshmitari 2 nuk ishte konfirmuar publikisht nga DHSK-ja apo ZPS-ja si dëshmitar në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Intervistat e tij me ZPS-në ishin klasifikuar si konfidenciale dhe DHSK-ja ose ZPS-ja i ishin referuar atij publikisht, ose me statusin e dëshmitarit apo kodin e tij të dëshmitarit në proces.

Në dosje përshkruhen edhe takimet e Thaçit me Kilajn.

Sipas ZPS-së, më 06.10.2023, Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu vizituan Hashim Thaçin në qendrën e paraburgimit. Ky takim ishte planifikuar një muaj më herët, në një thirrje telefonike në qendrën e paraburgimit midis Thaçit e Kilajt.

Sipas dosjes së aktakuzës së publikuar nga ZPS, gjatë vizitës, Thaçi u dha Kilajt e Kryeziut informacion konfidencial për dëshmitarë të ZPS-së në çështjen Thaçi dhe të tjerët.

Sipas ZPS, Thaçi dha udhëzime që duhej t’i përcilleshin dëshmitarit 4 se si duhej të dëshmonte.

Gjatë dhënies së udhëzimeve, sipas ZPS Thaçi dha referenca dhe pjesë të deklaratave konfidenciale të mëparshme të dëshmitarit

Tutje thuhet se Thaçi me Kilajn e Kryeziun diskutoi provat konfidenciale të dëshmitarit të ZPS-së i identifikuar si dëshmitari 3.

Gjatë një kontrollit të vendbanimit të Isni Kilajt më 02.11.2023, sipas aktakuzës, ZPS-ja gjeti materiale që përmbanin informacion konfidencial për proceset e DHSK-së dhe të dhëna identifikuese të dëshmitarëve të mbrojtur, përfshirë edhe emrat e dëshmitarëve.

Aktakuza përshkruan se ZPS-ja gjeti mes mbeturinave të Kilajt faqe të grisura të deklaratave të mëparshme të dëshmitarit 4, ndër të cilat edhe një pjesë së cilës Thaçi iu referua gjatë vizitës së 06.10.2023.

Tutje aktkauza pretendon se ZPS-ja gjeti gjithashtu edhe fletë fletoreje që përmbanin, ndër të tjera, përmbledhje të dëshmive të pritshme të dëshmitarëve aktualë dhe të mëparshëm të ZPS-së, bashkë me kodet e tyre të dëshmitarit. Shënimet e gjetura në vendbanimin e Kilajt përmbajnë informacion që përkon me informacionin në përmbledhjet konfidenciale që iu bënë të njohura Thaçi në kuadër të çështjes Thaçi dhe të tjerët.