Konferenca e Rambujesë në Paris, Foto: Hashim Thaçi, Facebook

Thaçi kujton konferencën e Rambujesë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar 21 vjetorin e fillimit të punimeve të Konferencës së Rambujesë.

Thaçi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se në atë konferencë mori hov adresimi i çështjes së Kosovës në nivelin ndërkombëtar.

“Para 21 vjetësh, si asnjëherë më parë, mori hov adresimi i çështjes së Kosovës në nivelin më të lartë ndërkombëtar. Pikërisht më 6 shkurt 1999 nisën punimet e Konferencës së Rambujesë, e cila synim kryesor kishte parandalimin e gjenocidit të regjimit të Millosheviqit kundër popullsisë shqiptare në Kosovë”, ka shkruar ai.

Kreu i shtetit tha se megjithëse kjo konferencë nuk përfundoi me marrëveshje, delegacioni i Kosovës ishte i matur.

“Kjo konferencë u mbajt në dy runde bisedimesh, por përfundoi pa nënshkrimin e marrëveshjes për të dyja palët. Delegacioni i Kosovës u tregua shumë i matur dhe i kujdesshëm, si dhe duke besuar në partnerët strategjikë u pajtua me marrëveshjen, e cila solli intervenimin e NATO-s dhe çlirimin njëherë e përgjithmonë të Kosovës nga regjimi serb. Anëtarët e ekipit tonë negociator, pavarësisht situatës së rëndë në të cilën ndodheshim, ditën të jenë largpamës dhe vizionarë për të ardhmen e vendit tone”, ka thënë më tej Thaçi.

Sipas tij, falë luftës çlirimtare në terren dhe largpamësisë gjatë bisedimeve, “si dhe falë përkrahjes së partnerëve ndërkombëtarë, sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”.

Konferenca e Rambujesë i filloi punimet më 6 shkurt të vitit 1999. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës dhe synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christofer Hill nga SHBA-të, Boris Majosrsi ,Rusi dhe Volfgang Petric nga BE.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit, por delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Delegacioni i Kosovës, në atë kohë kryesohej nga Hashim Thaçi që ishte përfaqësues i UÇK-së, Ibrahim Rugova i LDK-së e Rexhep Qosja i LBD-së.

Delegacioni përbëhej prej katërmbëdhjetë vetash duke qenë të përfaqësuar nga tri grupime: Lidhja Demokratike e Kosovës me në krye Ibrahim Rugovën, ndjekur nga kryeministri Bujar Bukoshi që jetonte në mërgim dhe tre funksionarë të tjerë të LDK-së.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dërgoi pesë përfaqësues me në krye Hashim Thaçi dhe katër pjesëtarë të Lëvizjes së Bashkuar Demokratike.