Presidenti Hashim Thaçi - Foto: Facebook

Thaçi Inkurajon Hapjen e Faturave

Në deklarimin e tij të fundit për gazetarët, presidenti Thaçi ka inkurajuar qeverinë t’i hapë faturat e shpenzimeve me kartelat zyrtare.

Përgjigja e Thaçit ka ardhur pas pyetjes së KALLXO.com lidhur me refuzimin që Zyra e Kryeministrit t’i publikojë faturat e shpenzimeve me kartelat zyrtare.

“ Jam i bindur se gjithçka ka qenë është dhe do të mbetet transparente në çdo institucion që kam punuar, edhe në rolin opozitarit, edhe në ekipin e unitetit, edhe në Zyrën e Kryeministrit, edhe si zëvendëskryeministër, edhe si President. Nuk kemi çka të fshehim, kështu që gjithçka do të jetë në dispozicion të opinionit”, ka thënë Thaçi.

Ky koment i tij është bërë lidhur me vendimin e plotfuqishëm të gjykatës i cili ka ardhur pas padisë së BIRN.

Me këtë aktgjykim ZKM obligohet t’i hapë faturat e shpenzimeve të kryeministrit, ministrave dhe zëvendësministrave. Padia ishte ngritur pasi vetë Thaçi në atë kohë kryeministër kishte refuzuar të krijojë qasje në këto fatura.