Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Auditori: MPJD ka pasur vonesa në raportim të shpenzimeve nga Misionet Diplomatike dhe Konsullore

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin për vitin 2022 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka gjetur se kjo ministri ka pasur vonesa në raportim të shpenzimeve nga Misionet Diplomatike dhe Konsullore.

ZKA ka sqaruar se kanë analizuar 34 raporte mujore të 22 Misioneve Diplomatike dhe Konsullore (MDK) për të verifikuar nëse kishte vonesa në raportim.

“Nga kjo analizë vërehet se në 6 Misione Diplomatike Konsullore kishte vonesa në raportim nga 3 deri në 36 ditë. Po ashtu raportet mujore të shpenzimeve në Paris nuk ishin të nënshkruara nga Shefi i misionit diplomatik-Ambasadori. Edhe pse këtë vit kemi vonesa vërehet se kemi një përmirësim më të mirë të kësaj dukurie krahasuar me vitet paraprake” – thuhet në raportin e auditorit.

Sipas Auditorit, mos raportimi me kohë i Misioneve Diplomatike Konsullore ndodh kryesisht nga volumi i madh i shpenzimeve dhe të hyrave dhe kontrollet nuk ishin efikase, përderisa mos nënshkrimi i raporteve ka rrjedh si rezultat i mungesës së njohurive se një gjë e tillë duhet të bëhet.

“Vonesat në raportimin e shpenzimeve nga Misioneve Diplomatike Konsullore ndikojnë në vonesa në regjistrimin e shpenzimeve në SIMFK dhe rrjedhimisht kjo mund të ndikoj në raportim jo të duhur kurse mos aprovimi nga shefat e misioneve paraqet mungesë të kontrolleve” – thuhet në raport.

ZKA ka rekomanduar ministren Donika Gërvalla që të siguroj përmes shefave të MDK-ve që raportimi i shpenzimeve të bëhet në kohë të përcaktuar në mënyrë që MPJD të mund të bëjë regjistrimin e shpenzimeve në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) në kohën e duhur dhe të siguroj se çdo raport kontrollohet dhe nënshkruhet nga shefat e misioneve.

Më këtë gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit janë pajtuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).