Bordi i RTK-së raporton për shpenzimet: Për mbeturina marrim faturë rreth 768 euro në muaj

Rreth 768 euro në muaj është vlera e faturës së mbeturinave për ndërtesën e Radio Televizionit të Kosovës.

Kështu ka njoftuar sot Bordi i RTK-së në Kuvend gjatë shqyrtimit të Raportit të Shpenzimeve për periudhën janar-mars 2023.

Drejtori gjeneral i RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj tha se fatura për mbeturina llogaritet në metër katror.

“Sa i përket faturave që keni kërkuar për ujësjellësin dhe mbeturinat, për mbeturina në ndërtesën e RTK ne marrim faturë rreth 768 euro në muaj dhe llogaritet me metra katror që janë brenda dhe jashtë ndërtesës që e kemi në menaxhim”- ka thënë ai.

Lidhur me këtë çështje, deputeti i LVV-së Eman Rrahmani ka kërkuar të informohet nëse është shiku kontrata.

Ai ka thënë se për herë të parë po dëgjon që objekti faturohet në bazë të metrave katror dhe jo në bazë të volumit të mbeturinave.

“Nuk besoj që ka aq shumë sasi të mbeturinave në RTK që me hargju 700 e sa euro në muaj”- ka thënë ai.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini ka thënë se do të trajtojnë këtë çështje me prioritet sepse konsiderojnë që janë shifra të larta.

Pajtohemi me këtë qasje dhe i kemi rekomandu menaxhmentit me shqyrtu këtë çështje dhe me u taku me kompaninë “Ujësjellësi” dhe atë të menaxhimit të mbeturinave. Do të jetë prioritet sepse edhe ne konsiderojmë që janë shuma të mëdha”- ka thënë Boletini.

Udhëheqës i Shërbimeve të Përbashkëta, Alban Fetahu ka thënë se më herët para se të merrte pozitën ai, fatura e mëhershme e “Pastrimit” ka qenë rreth 1800 euro.

“Tek televizioni kemi dyshime që ka shtëpi private që ka të kyçura në rrjet në televizion dhe kemi kërku inspektime dhe shpresojmë që kompania e ujësjellësit ka me inspektu këtë çështje”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se për tre mujorin e parë për energji elektrike janë paguar rreth 30 mijë euro, nga të cilat mbi 10 mijë euro janë të vitit të kaluar, kryesisht të muajin dhjetor.

Lidhur me këtë çështje, deputeti i LVV-së Visar Korenica ka thënë se në vitin 2020 për mbeturina janë paguar 43,387.00 euro, rreth 3,615 euro në muaj.

“Në vitin 2020, nga menaxhmenti i kaluar dhe pa vërejtje të bordit të kaluar të RTK-së, për mbeturina janë paguar 43,387.00 eur, pra rreth 3,615 euro në muaj. Sot, gjatë raportimit financiar të bordit dhe menaxhmentit na njoftuan se pas rishikimit të kontratës për këtë shërbim nga buxheti i RTK-së ky shërbim paguhet 1,200 euro në muaj. Pra kursim 2,415 eur në muaj”- ka thënë ai.

Sipas tij, nga përllogaritjet e menaxhmentit të RTK-së del se rreth 92 mijë euro janë dëm i sjellur financiar nga faturimi i gabuar.

“Deri tani, rreth 10 kontrata të dëmshme janë dërguar në prokurori. Ka vend për përmirësim edhe të mëtejmë, për këtë do i mbajmë vazhdimisht në llogari”- ka shkruar Korenica në Facebook.