Ilustrimi: Diar Vuçetaj/KALLXO.com
Dreka zyrtare që delegacionit të Kosovës i kushtoi vetëm 70 centë më shtrenjtë se fatura për taksi
Në dhjetëditëshin e fundit të janarit të këtij viti, një delegacion pesë anëtarësh i Kuvendit të Kosovës kishte marrë rrugë në drejtim të Strasburgut të Francës për ta përfaqësuar vendin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Gjatë qëndrimit atje, pesëshja e përbërë nga Saranda Bogujevci (LVV), Arben Gashi (LDK), Enis Kervan (Grupi multietnik), Ariana Musliu- Shoshi (PDK) dhe Besnik Tahiri (AAK), kishin vendosur ta shtronin një drekë për delegacionet nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Shumë a pak, fatura për atë drekë kishte ardhur 1 mijë e 275 euro e 70 centë. Meqenëse ishte shpenzim shtesë i bërë gjatë vizitës zyrtare, për mbulimin e saj duhej të vendoste Kryesia e Kuvendit. Por kjo faturë nuk ishte e vetmja. Krahas saj ishte ofruar edhe fatura për mbulimin e shpenzimeve për shfrytëzimin e taksive. Dhe “befasia” ishte se vlera mes dy faturave të shpenzimeve shtesë ishte vetëm 70 centë. Për taksi ishin shpenzuar fiks 1 mijë e 275 euro.
Në përshtypje të parë dukej si ndonjë gabim teknik. Kështu edhe e kanë parë disa prej anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit kur janë pyetur nga Kallxo.com për vendimin që e kanë marrë më 02.02.2024 për mbulimin e shpenzimeve të delegacionit parlamentar në Strasburg, mirëpo ka qenë kryesuesja e këtij delegacioni, Saranda Bogujevci, ajo që vetë e ka konfirmuar se shifrat në fatura nuk janë të gabuara. Ajo ka dhënë edhe shpjegimin se si ka ndodhur që ndryshimi mes shpenzimeve për drekë dhe shpenzimeve për transportin me taksi të jetë vetëm 70 centë.
“Në mënyrë që t’i reduktojmë shpenzimet ne udhëtojmë për në Frankfurt ose për në Bazel. Dhe, prej aty të gjithë udhëtojmë me taksi për në Strasburg. Por këtë herë unë nuk kam qenë në Kosovë, sepse e kam pasë punën ashtu dhe më është dashtë me fluturu për në Frankfurt ndaras prej delegacionit dhe prapë me u kthy në të njëjtin vend prej Frankfurtit. Kjo e ka shtuar shumën për taksi dhe kjo ka qenë arsyeja e vetme që çmimi i taksisë ka qenë më i lartë dhe krejt rastësi ka qenë në relacion me drekën”- ka shpjeguar Bogujevci.
Ajo e pranon që edhe vetë është çuditur që çmimi i drekës me atë të taksisë ka qenë i njëjtë.
“Edhe unë kur është aprovuar në Kryesi jam çuditur. Ju thashë mos e keni ngatërruar me drekën, por më thanë jo. Mandej kam kërkuar edhe unë sqarim, sepse lëvizjet përbrenda Strasburgut normal janë me çmime shumë më të vogla. Por këtë herë ka qenë shuma shumë më e lartë sepse është dashtë një taksi shtesë. Zakonisht Ambasada i mbulon shpenzimet kur kemi udhëtime ndarazi, por kësaj radhe e kemi pasur edhe kryetarin (Glauk Konjufca) dhe ka qenë e pamundshme me e mbuluar edhe udhëtimin tim. Por, unë e kam pasë situatën ashtu, që kam udhëtuar prej një vendi tjetër”- shtoi ajo.
Gjatë qëndrimit në Strasburg, nga data 21 deri më 26 janar 2024, anëtarët e delegacionit kosovar morën pjesë në punimet e sesionit, në takime të grupeve politike, të komiteteve, aktivitete të tjera, por edhe shfrytëzuan rastin të takojnë anëtarë të delegacioneve të tjera me të cilët biseduan për tema të ndryshme, kryesisht për ato që ndërlidhen me procesin e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, me çrast kanë kërkuar edhe mbështetje në këtë proces, shkruan në njoftimin e Kuvendit të Kosovës të publikuar më 28.01.2024.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca po ashtu ka marrë pjesë edhe në takimin e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili u mbajt më 23.01.2024.
Bazuar në komunikatën e njëjtë, Konjufca kishte zhvilluar takime me personalitete dhe me delegacione të shteteve që e përfaqësojnë Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këshillin e Evropës, më 12 maj të vitit 2022. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është në proces të përgatitjes të një opinioni konsultativ për aplikimin e Kosovës me kërkesë të Komitetit të Ministrave të kësaj organizatë ndërkombëtare.