Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tenderi 3.8 milionësh, MSh largon kriteret për të cilat pati ankesa se kufizonin konkurencën

Ministria e Shëndetësisë ka larguar disa kritere që kishin të bëjnë me certifikata të ISO Standardeve, në tenderin 3.8 milionë euro, për të cilat kritere ka pasur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), për kufizim të konkurencës.

Tenderi për “Furnizimi, implementimi dhe mirëmbajtja e sistemit Packs dhe RIS të Sistemit Informativ Shëndetësor” ka vlerën e parashikuar 3 milionë e 800 mijë euro.

Kriteret e larguara nga dosja e tenderit janë që operatorët ekonomikë të cilët ofertojnë, të jenë të pajisur me standardet ISO 9001; ISO 20000; ISO 14000 dhe ISO 27001. Këto kritere janë larguar me datë 13.03.2024.

ankesën e bërë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), kompania “T-Consulting d.o.o Sarajevo”, pretendonte se kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë që secili operator ekonomikë, përfshirë edhe në rast të konzorciumit, të jenë të pajisura me ISO Standardet në fjalë, e kufizon konkurencën.

Sipas ankesës, në raste të tilla do duhej që kërkesa për ISO Standardet të plotësohet nga konzorciumi në tërësi si grup, e jo secili operator ekonomik veç e veç.

Por ankesa e dorëzuar nga kjo kompani në OSHP është refuzuar nga këta të fundit, me arsyetimin se është jashtë afatit kohor të lejuar sipas ligjit.

KALLXO.com ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë për të pyetur se pse kriteret për ISO Standarde janë vendosur si kërkesa për secilin operator ekonomikë veç e veç, e jo ndaj konzorciumit në tërësi si grup.

Përmes një përgjigje me shkrim, Berat Marmullaku, udhëheqës i prokurimit në ministri, ka thënë se këto kritere janë vendosur bazuar në Rregulloren 001/2022 për Prokurimin Publik, e cila flet për ISO Standardet.

“Çertifkatat për sigurimin e cilësisë, përmenden në nenin 70 të LPP-së dhe kanë për qëllim vërtetimin e përputhshmërisë së operatorit ekonomik me një numër të caktuar standardesh për sigurimin e cilësisë. Nëse Autoriteti Kontraktues kërkon certifkata të hartuara nga organe të pavarura që kryejnë aktivitete të certifikimit për të vërtetuar se operatori ekonomik përmbush standarde të caktuara për sigurimin e cilësisë që bazohen në standarde kosovare, evropiane ose ndërkombëtare, secili anëtar i grupit do të dëshmoj se i përmbush standardet përkatëse” – ka thënë Marmullaku, duke cituar neni 26.6 të kësaj Rregullore.

Aktualisht ky tender është ende në fazën e dorëzimit të ofertave,

Afati i dorëzimit të ofertave për këtë tender ishte deri më 22.03.2024.