Arian Krasniqi së bashku me Jakup Krasniqin - FOTO FACEBOOK

Suspendohet nipi i Jakup Krasniqit pasi u rrah me sekretarin e MTI-së

Më 11 nëntor në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë kishin krisur grushtet në mes dy zyrtarëve.

Siç u kuptua më vonë, bëhej fjalë për Arian Krasniqin, djalin e vëllait të Jakup Krasniqit dhe Burim Rreci, sekretar në këtë ministri.

Nipi i ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqit, mbante pozitën e këshilltarit politik në ministrinë që aktualisht udhëhiqet nga Endrit Shala, nga partia Nisma Socialdemokrate.

E pas konfliktit fizik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marr një vendim për suspendim nga detyra të Arian Krasniqit.

“Ju informojmë se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, lidhur me këtë rast ka iniciuar procedurë disiplinore përmes Komisionit Disiplinor që vepron në ministri dhe me datën 15.11.2019,  ka marr vendim për pezullim nga detyra të zyrtarit Arian Krasniqi, deri në marrjen e një vendimi tjetër”, thuhet në përgjigjen e ministrisë dhënë për KALLXO.com.

Për incidentin në objektin e MTI-së kishte dhënë detaje edhe Policia e Kosovës.

“Një rast sulm ndaj personit zyrtar është raportuar të ketë ndodhur në objektin e një ministrie. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët i kanë dhënë ndihmën zyrtarit të lënduar. Me urdhër të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhej në raportin 24 orësh të forcave të rendit.

KALLXO.com kishte raportuar për punësimin e nipit të Jakup Krasniqit në ministrinë që udhëhiqet nga partia e tij, Nisma Socialdemokrate.

Por, Ariani nuk ishte nipi i vetëm i punësuar i Jakup Krasniqit. Taulant Krasniqi kohë më parë ishte bërë Inspektor i naftës në MTI.

Në një intervistë për KALLXO.com në muajin mars të këtij viti, vetë Krasniqi e kishte pranuar se të afërmit e tij nga familja janë të punësuar nëpër institucione publike.

Jakup Krasniqi: Nga 43 nipa e mbesa, vetëm 5 a 6 më punojnë në institucione shtetërore

www.kallxo.com