Nipi i Jakup Krasniqit bëhet inspektor i naftës në ministrinë e NISMA-s

Taulant Krasniqi, nipi i Jakup Krasniqit, është punësuar si inspektor i naftës në Ministrinë që drejtohet nga partia e themeluar nga Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi.

Ai është punësuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në pozitën inspektor i tregut, Divizioni për cilësi dhe tregtinë e naftës dhe derivateve të naftës.

Taulant Krasniqi është djali i Abdyl Krasniqit, vëllait të Jakup Krasniqit.

Në njoftimin e datës 5 korrik 2018 për kandidatët më të suksesshëm për këtë pozitë, figuron edhe emri i Taulant Krasniqit. Ai do të jetë njëri ndër inspektorët e naftës në Kosovë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar sekretarin e MTI-së, Burim Rreci për të marrë më shumë informacione rreth punësimit të nipit të Jakup Krasniqit, por nuk ka marrë përgjigje.

Po ashtu, Gazeta JNK ka kontaktuar edhe zyrën për media në këtë Ministri, ku ka kërkuar emrat e aplikuesve për këtë pozitë dhe detaje mbi punësimin e Taulant Krasniqit, si dhe nëse MTI ka nënshkruar aktin e emërimit për të.

Gazeta Jeta në Kosovë ende nuk ka marrë përgjigje nga kjo Ministri.

Më pas Gazeta JnK ka kontaktuar edhe Taulant Krasniqin për ta pyetur nëse ka ndikuar axha i tij për ta punësuar në Ministrinë që drejtohet nga partia e tij, por i njëjti ka thënë se ai nuk është person publik dhe nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës.

“S’kam çka flas e sqarohem, të thash që unë s’jam person publik as politik”, ka thënë ai.

Gazeta Jeta në Kosovë ka provuar të kontaktojë edhe Jakup Krasniqin, por ai nuk e ka hapur telefonin gjatë gjithë ditës.

Jakup Krasniqi është bashkëthemelues i partisë Nisma Socialdemokrate, e cila tash është në Qeveri dhe drejton tri ministri, në mesin e tyre edhe MTI-në.

Javën e kaluar Gazeta JNK raportoi edhe për Veron Selmanin, burrin e vajzës së Fatmir Limajt, i cili është punësuar në po këtë ministri.

Dhëndri i Fatmir Limajt punësohet në Ministrinë e NISMA-s