Jakup Krasniqi: Nga 43 nipa e mbesa, vetëm 5 a 6 më punojnë në institucione shtetërore

Në shtator të vitit të kaluar, KALLXO.com raportoi për punësimin e Taulant Krasniqit, nipin e Jakup Krasniqit në Ministrinë e Tregtisë.

Nipi i kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi u punësua si inspektor i tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, që udhëhiqet nga partia Nisma Socialdemokrate.

Në një intervistë për KALLXO.com,  Jakup Krasniqi ka folur për punësimin e nipit në MTI duke theksuar  se fëmijët e tij nuk janë të punësuar askund.

“Nuk do të thotë që njerëzit që janë familjar me mu mos të punësohen asnjë. Ne jemi vëllezër dhe motra 11, dhe të gjithë kemi familjarët tanë, prej të gjithë vëllezërve vetëm tre veta kanë dy djem të punësuar në institucionet e shtetit dhe atë që 20 vjet. Nuk bëhet fjalë për një mandat, në një mandat është një njeri por për gjithë mandatet dikund janë 6 veta. Unë i kam katër fëmijë dhe asnjëri nga ta nuk është në marrëdhënie pune ende” tha Krasniqi.

Tutje, ish- kryeparlamentari tha se një praktikë e punësimeve në Kosovë është që nga paslufta.

“Në Kosovë ka nevojë të ndryshohet qasja e të punësuarave në institucionet e shtetit. Në Kosovë që nga viti 2000, punës nuk i gjindet njeriu por njerëzve u gjindet punë” deklaroi ai.

I pyetur për punësimin e nipit të tij në ministrinë që udhëhiqet nga partia Nisma Socialdemokrate, ai tha se nga 43 nipa e mbesa, vetëm 5 apo 6 janë duke punuar në institucione shtetërore.

“Unë nuk e di, nuk është çështje e imja që ta di, është çështje e atyre që e kanë kry. Nga 43 nipa e mbesa që i kam unë, janë 5 a 6 të punësuar, të tjerët ose janë jashtë vendit ose janë në biznese private të punësuar. Nuk kanë detyra të larta në institucionet e shtetit” tha Krasniqi.

https://www.youtube.com/watch?v=02aNxTFpHDA

https://kallxo.com/gjnk/nipi-i-jakup-krasniqit-behet-inspektor-i-naftes/