Peter Stano

Stano: EULEX dhe KFOR po i asiston Policisë së Kosovës, përgjegjësit për sulmin në Banjskë të dalin para drejtësisë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka thënë se përgjegjësit për sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës duhet të sillen para drejtësisë.

Stano ka thënë se hetimet janë duke vazhduar, dhe ato asistohen nga EULEX dhe KFOR.

“Hetimet me aq sa kemi ne informacione po vazhdojnë, hetimet nuk ka përfunduar ende dhe ato nuk janë kryer akoma. Hetimet janë krejtësisht në duart e Policisë së Kosovës, ata asistohen me kërkesë nga EULEX-i dhe KFOR-i. Për aq sa hetimi është duke vazhduar, ne nuk do të bëjmë paragjykime dhe verdikte për atë se çfarë ka ndodhur, kjo është për njerëzit që janë duke u marrë me të”- tha ai.

“Ne duhet të shohim se faktet janë vërtetuar qartë, duhet të vërtetohet se kush i bëri këto sulme terroriste, kush i organizoi, kush qëndron prapa tyre dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë për këtë qëndrimi i BE-së është i qartë”- theksoi ai.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve dhe dy janë arrestuar mbrëmë në një hotel në afërsi të Banjkës.

Vendet e QUINT në reagimet e tyre kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe kanë kërkuar që autorët të sillen para drejtësisë.