Sindikata e Pavarur e RTK-së kërkon shkarkimin e nënkryetares së bordit, Arta Berisha

Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës ka kërkuar shkarkimin e anëtares së bordit, Arta Berisha me arsyen se e njëjta ka marrë pjesë në një aktivitet politik .

Në kërkesën e sindikatës dërguar Kuvendit thuhet se kërkesa është e bazuar në Ligjin për RTK-në.

“Më datë 5 korrik 2023, nënkryetarja e Bordit të RTK-së, Arta Berisha ka marrë pjesë në aktivitetin politik të një partie politike, konkretisht të LDK-së ku temë diskutimi ishte “Rruga pa kryeministrin Kurti”… Në nenin 28 të Ligjit të RTK-së, pika 2.1. i cili thotë se shkarkimi i një anëtari të Bordit mund të behët edhe me kërkesën e ndonjë iniciative nga jashtë RTK-së”- thuhet nën kërkesën e Sindikatës së Pavarur të RTK-së.

Sot, në mbledhjen e komisionit për buxhet, punë dhe transfere, kryetari, Armend Muja tha se kanë pranuar dy kërkesa për shkarkimin e dy anëtarëve të bordit.

Por që të njëjtat nuk mund t’i shqyrtoj ky komision.

“Si komision për buxhet na kanë ardh kërkesa për shkarkimin e dy anëtarëve të bordit por mendoj se këto si kërkesa më shumë i takojnë komisionit funksional sepse kanë të bëjnë me shkelje editoriale dhe etike dhe ne si komision për buxhet nuk i trajtojmë ato nëse nuk hynë në domenin e fushveprimtarisë së komisionit”- tha Muja.

Nënkryetarja e bordit të RTK-së, Arta Berisha për pjesëmarrjen e saj në një aktivitet politik ishte pyetur edhe nga deputetët e komisionit për buxhet, punë dhe transfere, më 4 tetor 2023.

“Njëri anëtar i bordit ka marrë pjesë në një aktivitet politik… Mendoj që një anëtar nuk duhet të merr pjesë në aktivitete te tilla”- kishte thënë Eman Rrahmani deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Berisha ishte përgjigjur se në këtë aktivitet politik kishte qenë e ftuar si gazetare dhe si e tillë ka shkuar.

“Në takimin e LDK kam qenë e ftuar si gazetare dhe si e tillë kam shkuar. Për shkak të mënyrës që është prezentu në media ndoshta dhe jam penduar. Kam qene njëra nga dhjetëra gazetare aty. Nuk kam shku se kam dashur të bie në sy, nuk kam shkuar përtej asaj që ka qenë në agjendë. Këto janë arsyet. Nëse mendoni që kam bërë gabim në aspektin ligjor mund të procedoni tutje”- kishte thënë Berisha më 4 tetor 2023 para komisionit për buxhet, punë dhe transfere.

“Nuk je më gazetare. Je anëtare e bordit të RTK-së. Ndoshta dhe ke drejt sipas ligjit por duhet të keni kujdes në ruajtjen e integritetit profesional”- iu kishte kundërpërgjigjur deputeti Rrahmani.

Sindikata e Pavarur e RTK-së e RTK-së kanë kërkuar edhe shkarkimin e kryetarit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini .

Dorëheqja e Boletinit po kërkohet pas deklaratës së tij se ai merr informacione se në mediumin publik “punëtorët vijnë me pizhame e miniqa” dhe pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com për diskriminimin e tri grave në konkurset për pozita të larta menaxheriale.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Radiotelevizionit të Kosovës, Fadil Hoxha kishte bërë të ditur se kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, peticionin me 361 nënshkrime, ku kërkohet dorëheqja e kryetarit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Hoxha ka thënë se peticioni është dorëzuar edhe tek grupet parlamentare dhe komisionet përkatëse.

Peticioni për shkarkimin e Boletinit është diskutuar në mbledhjen e komisionit për buxhet të mbajtur më 4 tetor.

Radio Televizioni i Burrave 

 

Pal Lekaj: Ka ardhur koha që bordi i RTK-së të shkojë në shtëpi

Kryetari i Bordit të RTK-së: Marr informacione se ka punëtorë që vijnë në punë me pizhame