Kryetari i Bordit të RTK-së: Marr informacione se ka punëtorë që vijnë në punë me pizhame

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës të mërkurën ka miratuar propozimin që punëtorët të raportojnë për punët që kryejnë brenda orarit e më pas të bëhet edhe raport mujor për punën e secilit.

Ky vendim u mor pasi në Bord u potencua se ka pretendime se ka punëtorë që ‘i ikin’ punës.

Madje, drejtori i Bordit, Besnik Boletini tha se ka marr informacione se ka punëtorë që vijnë në pizhame e nuk respektojnë orarin e punës.

“Mendoj se duhet të marrim një vendim për raport mujor të secilit punëtor në RTK sepse unë përditë marr informacione se punëtorët vijnë me pizhame, miniqa, vijnë bëjnë check out dhe kjo është e papranueshme”- ka thënë ai.

Lidhur më këtë deklarim, Besnik Boletini për KALLXO.com ka sqaruar se nuk e ka konstatuar ai një gjë të tillë, por merr informacione nga punëtorë.

Ai theksoi se nuk e ka thënë një gjë të tillë për të përshkruar veshje dhe nuk e di nëse këto pretendime janë të vërteta apo përceptim i punëtorëve.

“Për të qenë korrekt lidhur me atë pjesë, unë nuk e kam konstatuar një gjë të tillë, por e kam theksuar se po marr informacione (në formë të ankesave), që disa punëtorë kthehen nga aktivitete të ndryshme jashtë detyrave të punës, dhe e bëjnë daljen (check out) në mbrëmje për t’u evidentuar në sistem”.

“Prandaj në mbledhje iu referova atyre zërave gjatë përshkrimit të situatës në mënyrën siç më ishte thënë, gjë që ishte gjatë debatit dhe e momentit dhe në asnjë mënyrë për të përshkruar veshjen, por çështjen që po e diskutonim. Nuk e di nëse janë të vërteta ose jo ato pretendime, mund të jetë një perceptim”- ka thënë ai.

Tutje, Boletini theksoi se “në vazhdimësi ka pasur ankesa nga disa punëtorë se po ngarkohen më shumë me punë për shkak se jo të gjithë kolegët e tyre po punojnë në mënyrë proporcionale dhe se disa prej tyre vetëm bëjnë hyrjen në mëngjes dhe daljen në mbrëmje dhe nuk rrinë në ambiente të punës”.

“Për ne është e rëndësishme që së secili punëtor ta kryej punën e vet që e ka të përcaktuar në kontratë dhe është e papranueshme që nëse ka raste kur dikush mund të marrë rrogë pa punuar, ose pa e përmbushur kontratën e punës”- shtoi tutje Boletini.

Lidhur me votimin e propozimit për raport mujor të aktiviteteve ditore të punëtorëve në RTK, Boletini shtoi se kjo çështje është diskutuar në vazhdimësi në Bord.

“Është diçka e planifikuar dhe është konsideruar si e nevojshme dhe është një praktikë që zbatohet edhe në mediume tjera, sidomos aty ku ka numër të madh të punëtorëve”- tha ai.

Sipas tij, raporti mujor për aktivitetet ditore nuk është presion për punëtorët, por vlerësim për mundin e secilit.

“Nuk ka vend për shqetësim. Nuk kërkohet punë shtesë, aktivitet tjetër, e as punë jashtë kontratës, por një përshkrim i thjeshtë i aktiviteteve të punës. Ndër të tjera, kjo ndihmon që kur të bëhet vlerësimi i fundvitit nga udhëheqësit, secili punëtor të vlerësohet në mënyrë meritore dhe të bazuar. Në këtë mënyrë evitohen edhe pakënaqësitë eventuale se jo të gjithë po punojnë në mënyrë proporcionale”- shtoi tutje ai.

Boletini theksoi se raporti i punës do jap pasqyrë të qartë për përceptimet se ka punëtorë të papërgjegjshëm.

“Konsideroj që pjesa më e madhe e punëtorëve të RTK-së e kryejnë punën e tyre me përkushtim të madh, por nëse ka të tillë që tentojnë t’i “ikin” punës, siç flitet, kjo është e papranueshme dhe e kemi obligim ligjor që  të angazhohemi që mos të ndodh”- ka thënë tutje Boletini.

Kryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha në një deklarim për KALLXO.com tha se miratimi i këtij propozimi është absurditet pasi RTK nuk funksionon me logjikë të institucioneve administrative me raporte ditore.

“Ky është absurditeti i radhës i një Bordi i cili përgjatë gjjithë mandatit të tij nuk ka arritur as edhe një të mirë ta bëjë për Transmetuesin Publik si dhe për të punësuarit e saj, përvec pagave të majme për veten e tyre ( më të lartat në rajon e më gjerë) të cilat vazhdojnë të mos jenë të rregulluara me ligj”- tha ai.

Sipas tij, bordi nuk ka ide për natyrën e punës në medium.

Punëtorëve të RTK-së do u kërkohet raportim për punët që kryejnë brenda orarit