Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pal Lekaj: Ka ardhur koha që bordi i RTK-së të shkojë në shtëpi

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, gjatë të cilit u diskutua për gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin për Radiotelevizionin e Kosovës, ka dhënë kritika ndaj bordit të mediumit publik. Lekaj tha se “është koha që bordi të shkojë në shtëpi”.

Deputeti i AAK-së gjatë fjalës së tij, gjithashtu ka përmendur peticionin e nënshkruar nga 361 punetorë të RTK-së, të cilët po kërkojnë shkarkimin e kryetarit të bordit, Besnik Boletini.

“Nga të gjitha këto kemi edhe sindikatën e Pavarur të RTK me 361 nënshkrime që të shkarkoj Kryesuesin e Bordit, që kanë dhënë arsyeshmërinë. Sindikata e ka dhënë, për besë. Për mu nuk ka mbet asgjë tjerër më. Mendoj që ky Komision e them mendimin tim, duhet ta merr seriozisht këtë peticion. Duhet të fillojë procedurat për shkarkimin e Boridt me të gjitha këto gjetje, ka ardhur koha që të shkoni në shtëpi” – tha deputeti Lekaj.

Deputeti Lekaj ka thënë folur edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Kur keni shkuar në RTK keni premtuar që do ta bëni një vend më të mirë, me një program më të mirë. Gjykata Kushtetuese ka nxjerr vendim që Kuvendi ka shkelur ligjin kur e ka shkarkuar bordin e kaluar. Unë personalisht kam qenë kundër. Mendoj që ky Komision duhet të mendoj se çfarë ka bërë. ZKA mendoj që duhet me iu shqetësu juve që gjetjet e vënë në pikëpyetje menaxhimin”- tha Lekaj.

Bordi i RTK-së dhe drejtori i përgjithshëm janë duke raportuar para Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Pika të rendit të ditës janë edhe shqyrtimi i raportit vjetor financiar dhe i raportit të shpenzimeve të RTK-së, për periudhën prill-qershor 2023.

Ditë më parë, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Radiotelevizionit të Kosovës, Fadil Hoxha ka bërë të ditur se kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, peticionin me 361 nënshkrime, ku kërkohet dorëheqja e kryetarit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Dorëheqja e Boletinit po kërkohet pas deklaratës së tij se ai merr informacione se në mediumin publik “punëtorët vijnë me pizhame e miniqa” dhe pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com për diskriminimin e tri grave në konkurset për pozita të larta menaxheriale.

Hulumtimi “Radio Televizioni i Burrave” ngjalli reagimet e një vargu të gjatë të aktivistëve të të drejtave të njeriut

Në një komunikatë për shtyp, Bordi i kishte quajtur sulme ‘të grupeve të interesit’ denoncimet për diskriminim gjinor në RTK.

Hoti-Kryesuesit të Bordit të RTK-së: Qysh po ndihesh që gjysma e punëtorëve kërkojnë shkarkimin tuaj