Shtrenjtimi i rrymës - Direkt
Vendimi i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për shtrenjtimin e energjisë elektrike, i marrë në mbledhjen e sotme, 11.04.2025, po diskutohet në edicionin e sotëm të emisionit “KALLXO Përnime”.
Të ftuar në debat janë Lulzim Rafuna nga Oda Ekonomike e Kosovës, Luan Hasanaj nga iniciativa “Asnjë cent më shumë”, Hamdi Malushaj nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Adhurim Haxhimusa, ekspert i energjisë dhe Visar Prebeza nga KALLXO.com.
Edhe Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje ka qenë i ftuar në këtë debat, por ai ka kërkuar kohë për ta shikuar vendimin e ZRRE-së që është marrë më 11.04.2025. Kurse, nga ZRRE kanë thënë se deri të martën, më 15.04.2025, nuk do të deklarohen në publik.
Bordi i ZRRE përbëhet nga tre burra e dy gra: Ymer Fejzullahu (kryesues) dhe anëtarët – Lutfije Dervishi, Gani Buçaj, Arta Qorolli Isufi, Adnan Preniqi.
Në mbledhjen e datës 11.04.2025, bordi i ZRRE me shumicë të votave ka miratuar të hyrat e lejuara maksimale për KESCO-n në vlerë 435.9 milionë euro. Kjo vlerë është rreth 1.2 milion euro më shumë se ajo e propozuar nga ZRRE, e cila në raportet konsultative ishte 434.7 milionë euro apo që do të thotë rreth 15% rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Në këtë buxhet nuk janë përfshirë bizneset të cilat do të kalojnë në treg të lirë dhe nuk do të rregullohen më nga ZRRE. Ndërsa KESCO kishte bërë kërkesë për të hyra në vlerë 448 milionë euro.
Në këtë mbledhje me shumicë të votave janë aprovuar të hyrat e lejuara maksimale për Operatorin e Sistemit Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) në vlerë 101,800 euro.
Të hyrat e lejuara maksimale për KEDS-in të miratuara në mbledhje janë 180 milionë euro derisa propozimi ka qenë 214 milionë euro.
Ndërsa, në ora 12:00 u mbajt një protestë në kryeqytet nga qytetarët të cilët iu bashkuan thirrjes së iniciativës “Asnjë cent ma shumë”.
Prej kur në publik doli lajmi se mund të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike janë mbajtur disa aksione dhe një protestë kundër. Të mërkurën, më 02.04.2025, 12 aktivistë të iniciativës “Asnjë cent më shumë” u arrestuan te zyrat e ZRRE-së. Ata protestuan duke kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës.
Ndërsa, të shtunën, më 05.04.2025, në Prishtinë u mbajt një protestë ku u kundërshtua rritja e çmimit të energjisë elektrike.
www.kallxo.com