Donjeta Sahatciu, Perparim Rama, foto/Facebook

Rama tregon kur nisi përçarja me PDK-në, për zyrtarët e shkarkuar thotë se sabotuan procese

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se ish-partneri i koalicionit, PDK, ka shfaqur pakënaqësi nga muaji tetor 2023 dhe vendimi për këmbimin e pronës në Badovc nuk ka qenë arsyeja e vetme pse ka dalë nga koalicioni.

Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ theksoi se PDK ishte ankuar se nuk i janë dërguar pikat e rendit të ditës së pari atyre, gjë të cilën Rama e konsideron të palogjikshme për bojkotim, më pas, të seancave.

“Tri seanca nuk ka ardhur në Kuvend. Më kanë thënë se duhet së pari t’ua dërgoj atyre këto pikat e rendit të ditës, pastaj të tjerëve. Unë kam thënë që s’e kam problem pasi ato pika dërgohen prej të gjithë drejtorëve dhe i shkojnë gjithë Asamblesë. Nuk e di pse nuk kanë ardhur më pas. Mua kjo nuk më duket e logjikshme”- deklaroi Rama.

Përparim Rama tutje dha detaje se çfarë u bë shkak që shkarkoi tashmë ish-nënkryetaren nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu, dhe ish-drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, vetëm pasi kjo parti doli publikisht kundër përkrahjes për këmbimin e pronës në Badovc.

“Në aspekt të mbeturinave ka qenë problem që nga fillimi, kemi marrë hapa për këtë, janë ndarë fonde e subvencione për drejtorinë, prej vitit të kaluar kemi pasë takime urgjente, dhe kanë thënë se kanë plan ta zgjidhin. Në gusht u kam thënë se kjo është e fundit sepse nëse nuk ka mundësi të kryejë punë vetëm “‘Pastrimi”, na duhet ndihmë. Më janë lutur të vazhdojë deri në nëntor, drejtori i Shërbimeve Publike, ‘Pastrimit’ dhe nënkryetarja”- ka thënë Rama.

“Nuk është bërë zgjidhja, tani në shkurt problemi është edhe më i madh prandaj është dashur ta marr vendimin”- shtoi më tej Rama.

Ai theksoi se vendimi nuk ka të bëjë asgjë me rastin e Badovcit.

“Nuk ka të bëjë më Badovcin. I kemi treguar të gjitha faktet. Kjo ka qenë arsyetim i tyre që kinse ne po e mbrojmë Badovcin nga ndërtimet, kush po u thotë të ndërtojnë?”- shtoi më tej Rama.

Derisa, lidhur me shkarkimin e ish-nënkryetares Donjeta Sahatçiu, Rama tha se e ka sabotuar planin e Komunës për digjitalizim gjë që, sipas tij, ajo e kishte pasur qëllim kryesor.

“Në shtator kur ishte problemi i shpërndarjes së librave me Ministrinë e Arsimit e kam ftuar drejtoreshën, Besianën, dhe nënkryetaren që ka qenë e dedikuar për digjitalizim dhe u kam kërkuar ta shtyjnë procesin përpara që mos të humb koha. U pajtuam që të shtyhet ky proces për digjitalizim dhe në dhjetor i thash prapë nënkryetares, por më tha se është kundër sepse Agjencia e Shoqerisë së Informacionit nuk e lejon”- deklaroi Rama.

Por, i pari i Prishtinës shton se para saj kanë shtyrë edhe procese tjera si e-leja, ku kanë kuptuar se ka bazë ligjore të ndërlidhen me ligjet europiane për privatësi. 

“Nuk kemi pasë nevojë të presim askënd dhe këtë ua kam sqaruar, por përkundër kësaj më ka thënë se nuk e bënë këtë. Normal, nëse nuk e bënë ti, e bën ekipi dhe u kam thënë ta shtyjnë përpara këtë proces. Kur një pjesë e ekipit të saboton, nuk ka vend të mbash një person që saboton një proces i cili është pjesë e vizionit tonë”- shtoi Rama.

Sipas tij, kjo vendimmarrje është proces i ristrukturimit të kabinetit.

Derisa theksoi se për vendimet në kryeqytet vendos vetë e nuk i duhet t’i komunikojë edhe me LDK-në.

“Unë me Lumir Abdixhikun takohem shpesh, por vendimet i marr unë. Kështu ka qenë që nga fillimi, për Prishtinë vendimet i marr unë”- shtoi ai.

Rama madje deklaroi se përpara kanë krijuar drejtori të panevojshme.

“Kemi bashkuar drejtori si ajo e pronës me kadastrin, kemi krijuar Drejtorinë e Transformimit si rezultat i problemit që kemi me ndërtesat”- tha ai.

Shkarkimin e drejtorit të Shërbimeve Publike, ish-nënkryetarja Donjeta Sahatçiu e quajti si revansh politik të kryetarit për qëndrimin e tyre kundër për Badovcin.

Ajo madje akuzoi Ramën se kishte nisur procedura të prokurimit për digjitalizim në arsim pa e pyetur atë si ushtruese e detyrës në këtë drejtori.

Të enjten, nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili njoftoi për dalje nga koaliconi qeverisës në kryeqytet duke i hapur kështu rrugë krijimit të një shumice të re.

PDK-ja shkëputet nga koalicioni qeverisës me LDK-në në Prishtinë

www.kallxo.com