Përparim Rama shkarkon drejtorin Ilirik Musliu

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se për shkak të “gjendjes alarmante” me menaxhimin e mbeturinave, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.

Sipas Ramës, në cilësinë e kryetarit, ka ndarë buxhet shtesë për këtë drejtori dhe ndërmarrjen përkatëse, por përkundër kësaj “mbështetje të vazhdueshme nuk ka pasur rezultate nga drejtoria në fjalë”.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të gjendjes aktuale alarmante në Kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave. Si Kryetar i Kryeqytetit, tash e një vit kam kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria përkatëse zgjidhje të kësaj situate alarmante dhe të papranueshme. Por, përkundër të gjitha këtyre kërkesave, gjendja jo që nuk është përmirësuar, por përkundrazi është përkeqësuar” – ka shkruar Rama në Facebook.

“Prandaj, kam vendosur që të ndërhyjë dhe të marrë përsipër zgjidhjen e kësaj situate”- ka shtuar ai.

Ilirik Musliu ka qenë drejtor i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). PDK dhe LDK bashkëqeverisin në Prishtinë.

KALLXO.com ka provuar që të marrë përgjigje nga Ilirik Musliu, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.