Bllokuan magjistralen Kaçanik-Han i Elezit, gjobitet kompania dhe përgjegjësi italian

Policia e Kosovës ka gjobitur një kompani që po kryente punime dhe bllokoi rrugën magjistrale në Kaçanik.

Sipas njoftimit të Policisë Rajonale të Ferizajt, më 05.05.2024, përgjegjësi i një kompanie për rehabilitimin e lidhjes hekurudhore ka bërë bllokimin e rrugës magjistrale Kaçanik-Ferizaj.

I dyshuari G.M, shtetas italian 64-vjeçar u ftua në Njësinë e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj pasi kishte bllokuar rrugën pa leje.

Rruga u bllokua tek vendi “Guri i Shpuar” në Kaçanik.

Ndaj G.M si person fizik, përgjegjës i kompanisë iu shqiptua gjobë në vlerë prej 200 euro kurse ndaj kompanisë u inicua fletëparaqitje në gjykatë si dhe rruga u lirua për qarkullimin e automjeteve.

“Me këtë rast policia rajonale e Ferizajt apelon tek personat përgjegjës të kompanive që të pajisen me dokumente përkatëse për bllokimin e rrugëve” – thuhet mes tjerash në komunikatën e Policisë.

Policia ka ftuar qytetarët për bashkëpunim për kundërvajtjet që mund të shkaktohen.

Në komunikatë thuhet se të dhënat e qytetarëve do të ruhen në konfidencialitet.