Qeveria e Kosovës, Foto: KALLXO.com

Qeveria: Lajmi për përfundimin e mandatit të të dërguarit amerikan Escobar, nuk doli nga ne

Qeveria e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com mohoi pretendimet se lajmi rreth përfundimit të mandatit të të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të ketë dalë nga qeveria e Republikës së Kosovës.

Escobar për ‘Zërin e Amerikës’ më 08. 05.2023 shkrimet  për shkarkimin e tij i ka quajtur “dezinformata të prodhuara nga një i ashtuquajtur gazetar” dhe raportimet dolën pasi, kontaktoi me qeveritë në rajon për të diskutuar lidhur me kalimin e tij në një detyrë tjetër në Departamentin amerikan të Shtetit pas përfundimit të mandatit të tij.

“Ky raportim doli pak kohë pasi unë komunikova me qeverinë e Kosovës”, tha Escobar sipas Zërit të Amerikës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu mohoi të kenë ndonjë lidhje apo se ndajnë qendrime me gazetarin i cili edhe kishte shkruar artikuj për lidhje të Escobar me Serbinë.

“Ne e mohojmë çfarëdo sugjerimi se lajmi rreth përfundimit të mandatit të emisarit Escobar të ketë dalë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ne nuk kemi ndonjë kontakt me gazetarin në fjalë, me të cilin nuk ndajmë qëndrim sa i përket pretendimeve të tij në lidhje me emisarin Escobar”- është shprehur Kryeziu për KALLXO.com

Më 06.05.2024 Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka demantuar informacionin se Gabriel Escobar është larguar nga pozita e tij si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Sipas përgjigjeve të DASH-it për KALLXO.com, Escobar do të marrë detyrë të re në javët në vijim në kuadër të rotacioneve në detyrë që bëhen tek zyrtarët e Shërbimit të Jashtëm.

Pretendimet e “The Frontliner” se Escobar u lirua nga detyra, DASH i quajti të rreme.

“Pretendimet e bëra nga Vudi Xhymshiti janë verifikueshëm të rreme (verifiably false)”- thuhet në përgjigjen e DASH-it.

DASH-i thotë se Escobar do të qëndrojë në pozitën e tij si zv.ndihmëssekretar dhe i dërguar i posaçëm në zyrën për Europë dhe Euroazi si dhe si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor deri në tranzicionin e planifikuar.

Departamenti i Shtetit thotë se gruaja e Escobarit asnjëherë nuk ka marrë fonde nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë. Pretendimet e “The Frontliner” se familjarë të Escobarit kanë lidhje financiare me Qeverinë e Serbisë, DASH-i i çuajti të rreme.

DASH i quan të rreme pretendimet për shkarkimin e Escobarit