Shoqata e Autobusëve Prishtinë-Podujevë proteston sërish, Komuna e Prishtinës nuk lejon kthimin e autobusëve tek Xhamia e Llapit

Shoqata e Transportit të Autobusëve Prishtinë-Podujevë, sot (19.08.2025) ka protestuar sërish para objektit të Komunës së Prishtinës. 

Kjo pasiqë Komuna nuk u lejoi të ndalen tek “Xhamia e Llapit’ në Kryeqytet. 

Kryetari i kësaj shoqate, Beqir Mustafa është shprehur se autobusët e Podujevës nuk po e pengojnë trafikun në Kryeqytet. 

“Neve na lidhë ajo rrugë, tjetër kah s’kem kah shkojmë, me humbje jemi duke punu të gjithë, se nuk ka pasagjerë”- tha Mustafa. 

 Ai shtoi se nuk do të tërhiqen nga protestat deri në realizimin e kërkesave të tyre. 

Ndërsa, drejtori i Mobilitetit në Komunën e Prishtinës, Donat Lushaku ka deklaruar se do të ketë mundësi dialogu për dy kërkesa të tyre siç janë taksitë ilegale dhe që disa linja që i ka të kontraktuara komuna, të mos kalojnë në territorin e Podujevës. 

Ndërsa, sa i përket ndalimit të këtyre autobusëve tek “Xhamia e Llapit”, Lushaku deklartoi se kjo nuk do të lejohet asesi nga Komuna e Prishtinës. 

“Shoqata e Autobusëve të Podujevës duhet të respektojë itinerarin deri në fund, pra të vazhdojë deri tek Stacioni i Autobusëve gjë që nuk po e bën, që po ua pamundëson qytetarëve të Podujevës të marrin biletën e integruar”- ka thënë Lushaku. 

Sipas Lushakut, nëse transportuesve të Podujevës do u lejohet nga Komuna të qarkullojnë brenda Kryeqytetit, pastaj, sipas tij, do të ketë kërkesa të njëjta edhe nga komunat e tjera me ç’rast thotë se do bllokohej trafiku në qytet. 

Pas një kohe, protestuesit janë shpërndarë të qetë nga objekti i Komunës së Prishtinës, por se kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave ditëve në vijim. 

Komuna e Prishtinës të hënën më 18.08.2025, në asistimin e Policisë së Kosovës, nuk ka lejuar autobusët ndërurban të Podujevës të ndalojnë tek “Xhamia e Llapit” në kryeqytet, pasi një veprim i tillë, sipas komunës, paraqet rrezik në komunikacion.

Komuna ka njoftuar se është e përkushtuar për të respektuar marrëveshjen për qarkullimin e autobusëve ndërurban, përfshirë linjat nga Podujeva – duke u kërkuar të bëjnë ndalje te Stacioni i Autobusëve.

Sipas komunës, marrëveshje nuk ka qenë e njëanshme dhe se në proces kanë marr pjesë ata, Komuna e Podujevës, Ministria e Planifikimit Hapësinor dhe Shoqata e Operatorëve të Transportit.

Ndalja e autobusëve të Podujevës tek ‘Xhamia e Llapit’, Komuna e Prishtinës paralajmëron masa ligjore

Muaj më parë, kompanitë e transportit të udhëtarëve të linjës Prishtinë-Podujevë për disa ditë protestuan para objektit të Komunës së Prishtinës. 

Kjo për shkak të pakënaqësive që kishin lidhur me Vendimin e Komunës së Prishtinës për sistem të unifikuar të trafikut urban.

Mirëpo ata i dhanë fund fund grevës disaditore, më 19.03.2025, kanë arritur Marrëveshje me Komunën – lidhur me operimin e autobusëve të transportit të Podujevës në rrugë të caktuara në Kryeqytet.

Ndërsa, tash, Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të rishikojë dhe revokojë të gjitha licencat e operatorëve që nuk respektojnë itinerarin dhe pikën e nisjes. 

Sipas komunës, mosrespektimi i këtij detyrimi e bën të pavlefshme licencën. Sipas tyre, Komuna e Podujevës nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare ndaj draftit të marrëveshjes së përbashkët, për këtë, sipas Prishtinës duhet të respektohen rregullat ekzistuese.