Gjykimi ndaj Shaban Gogajt (28.09.2023), Foto: KALLXO.com

Vrasja e Agonis Tetajt, Shaban Gogaj, nuk pranon të deklarohet për akuzën 'vrasje e rëndë'

Shaban Gogaj, i cili akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorisë, nuk ka pranuar të deklarohet për akuzën “vrasje e rëndë”. Këtë e ka bërë pas këshillimit me avokatin e tij, Besnik Berisha. Kurse për veprën tjetër penale “armëmbajtje pa leje”, i njëjti pranoi fajësinë.

“Kallxova për veprën e parë, u deklarua avokati, (për armëmbajtje) po e pranoj qysh e kom pranu edhe herën e parë”- u deklarua i akuzuari Gogaj.

Ndryshe prej të pandehurit, pas leximit të aktakuzës, mbrojtësi i Shaban Gogajt, Besnik Berisha, tha se dispozitivi një i aktakuzës (vrasje e rëndë) është i kundërligjshëm pasi që prokuroria nuk ka të drejtë të keqësoj pozitën e të pandehurit.

“Për këto arsye me respekt parashtrojmë se leximi i pikës një të diapozitivit të aktakuzës, është i kundërligjshëm, aktakuza si e tillë ka pësuar ndryshim dhe prokuroria nuk ka të drejtë të keqësoj pozitën e të akuzuarit, pa prova te reja”- tha Berisha

Berisha tutje tha se e vetmja aktakuzë që duhet të pranohet është aktakuzë e ndryshuar në procesverbalin e datës 16.03.2021.

Në këtë rast ishte bërë ricilësimi nga ana e prokurorisë nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

“Rihapja e gjykimit është bërë me qëllim të sigurimit të provave të reja dhe meqenëse ky veprim ka rezultuar i pasuksesshëm aktakuza e vetme e ligjshme që duhet të procedohet në këtë gjykim është aktakuza e ndryshuar në procesverbal  me datë 16.03.2021.”- tha mbrojtësi Berisha.

I njëjti njoftoi gjykatën se kishte këshilluar klientin e tij se në rast se lexohet diapozitivi një i aktakuzës për vrasje të rënë, të mos deklarohet sepse është aktakuza e kundërligjshme.

“Për këto arsye unë klientin tim e kam këshilluar se në rast se lexohet diapozitivi  një i aktakuzës të ndryshuar, ai nuk do të deklarohet sepse është aktakuzë e kundërligjshme”- shtoi tutje Berisha.

Pas dëgjimit të këtyre pretendimeve gjykata mori vendim për të vazhduar gjykimin me deklarimin e të akuzuarve.

Pos Gogajt, pranim të fajësisë për armëmbajtje kishte edhe nga i akuzuari Isuf Cacaj, i cili përfaqësohet nga mbrojtësi Veton Berisha.

Gjykata e pranoi pranimin e fajësisë nga Cacaj dhe Gogaj lidhur me veprën armëmbajtje pa leje.

Prezent në sallë nuk ishte askush nga familjarët e të ndjerit Agonis Tetaj.

Pas këtyre, gjykimi vazhdoi me fjalët hyrëse të palëve në procedurë, për të vazhduar edhe me sesionin e pas ditës.

Seanca e sotme shënon herën e katërt, të numrit të seancave që ishin caktuar për të filluar rigjykimi pas kthimit të rastit në pikën zëro nga Gjykata e Apelit.

Çka thotë atktakuza?

Sipas aktakuzës se prokurorisë, në vitin 2019, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit

Kurse vendimin e Apelit lidhur me këtë rast mund ta gjeni duke klikuar në këtë LINK.

Të gjitha raportimet për vrasjen e Agonis Tetajt mund t’i gjeni KËTU.