Për herë të tretë radhazi nuk mbahet gjykim ndaj të akuzuarit për vrasjen e Agonis Tetajt

Për herë të tretë radhazi nuk është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Shaban Gogaj, të akuzuarit për vrajsen e Agonis Tetaj. Në këtë rast, i akuzuar për armëmbajtje pa leje është edhe Isuf Cacaj.

Gogaj ishte dënuar me 5 vjet burgim për vrasje nga pakujdesia dhe 3 vjet burgim për armëmbajtje pa leje (pas rikualifikimit të veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia).

Çështja tani ndodhet në fazën e rigjykimit, me ç’rast deri tani seanca fillestare ka dështuar të mbahet për herë të tretë radhazi.

Fillimisht ka qenë e paraparë  që seanca të mbahej me 22 maj por që ka dështuar të mbahet për shkak se i akuzuari Isuf Cacaj nuk kishte angazhuar avokat.

Kurse më së fundmi, kjo seancë dështoi të mbahej të premten e 14 korrikut me rastin e arrestimit të avokatit Besnik Berisha.

Kështu, seanca ndaj Gogaj e Cacaj ishe shtyrë për datën 28 korrik të këtij muaji.

Anulimi i seancës e cila ishte paraparë të mbahet sot, ka ardhur pasi që mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Gogaj, Besnik Berisha, ka rast vdekje në familje.

Këtë për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti.

Kujtojmë që pas vendimit të fundit të gjykatës së Apelit që rastin e vrasjes së Agonis Tetajt ta kthejë në pikën zero, Gjykata e Pejës kishte caktuar seancës gjyqësore për fillimin e rigjykimit më 22 maj të këtij viti.

Tetaj ishte vrarë në vitin 2018 në lokalin “Gogaj Ag” në Deçan, ku ai ishte punëtor. Për vrasjen e tij po akuzohet Shaban Gogaj, i cili është i biri i pronarit të kompanisë.

Lidhur me këtë rast Shaban Gogaj në dhjetor të vitit të kaluar nga gjykata e shkallës së parë është gjetur fajtor. Për vrasje nga pakujdesia Gjykata në Pejë i shqiptoi dënim me burg në kohëzgjatje prej 5 vite, kurse për armëmbajtje dënim me 3 vite burgim. Si dënim unik Gogajt i ishte shqiptuar dënimi me kohëzgjatje prej 7 vite e gjashtë muaj.

Gjykata e Apelit nuk ishte pajtuar me vendimin e gjykatës së shkallës së parë, kështu duke vendosur që rastin ta kthente për t’u gjykuar përsëri. Detaje nga arsyetimi i aktvendimi të Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Pejës në shpalljen e vendimit për vrasjen e Agonis Tetajt, kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Gogaj ishte dënuar me 5 vjet burgim për vrasje nga pakujdesia dhe 3 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.

Kujtojmë, se ky rast kishte nxitur reagime të shumta kur prokurori Agron Uka e kishte ricilësuar akuzën në seancën e fundit gjyqësore, nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria e Pejës, përkatësisht prokurorja Sahide Gashi, e cila ishte përjashtuar nga ky rast dhe rasti ishte bartur për përfaqësim në Prokurorinë e Gjilanit.

Rasti mori vëmendjen e opinionit publik kur babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, publikoi pamjet e momenteve tragjike ku djali i tij, Agonis Tetaj mbeti i vdekur në lokalin ku po punonte.

Pamjet ishin publikuar nga babai i të ndjerit pas ricilësimit të veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Prokurori i këtij rasti Agron Uka si dhe Besnik Berisha, avokati mbrojtës Shaban Gogajt, i akuzuar në këtë rast, u përfshinë në një situatë kontraverse, pasi u dëshmua me fotografi që të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan.

Kjo fotografi u publikua në KALLXO.com disa ditë pas rikualifkimit të akuzës.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte kërkuar gjithashtu edhe që Gjykata e Pejës të mos e shpallë të përfunduar shqyrtimin, por të marrë prova të reja për zbardhjen e rastit.

Në njërën anë, kryeprokurori kishte kërkuar të merreshin prova të reja, në anën tjetër gjykimi kishte përfunduar me pranimin e fajësisë nga Shaban Gogaj për akuzën e re të ricilësuar nga prokurori Uka.

Në ditën e shpalljes së vendimit, Gjykata e Pejës në trupin gjykues të kryesuar nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova kishte vendosur të rihapë shqyrtimin, duke revokuar edhe vendimin për pranimin e fajësisë së Gogajt.

Gjykata po ashtu i kishte dhënë afat prokurorisë që të paraqes provat e reja.

Vendimin për rihapje, avokati Berisha e konsideroi të kundërligjshëm duke thënë se kjo do të lë njollë në sistemin e drejtësisë.

Gjykimi pastaj vazhdoi me prokurorin e ri, Isuf Sadiku, i cili ndryshoi aktakuzën duke qëndruar pranë akuzës fillestare asaj për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Me rastin e procedimit të dëshmitarëve, gjykata ka marrë një vendim që përjashtoi mbrojtësin Besnik Berisha nga e drejta për mbrojtje e Shaban Gogajt.

Prej momentit kur Berisha u përjashtua nga e drejta e mbrojtjes, gjykimi ishte përshkruar me zvarritje të shumta.

Detaje të tjera lidhur me këtë rast mund ti ndiqni duke klikuar në këtë LINK