Seanca gjyqësore ndaj Shaban Gogajt

Sa vjet burg do t'i mbajë Shaban Gogaj në rast se i vërtetohet dënimi?

7 vjet e 6 muaj është dënim me burg i janë shqiptuar Shaban Gogajt për vrasjen e Agonis Tetajt në kompaninë “Gogaj AG” në vitin 2018.

Në rast se ky aktgjykim vërtetohet dhe merr formë të prerë, Gogaj do t’i vuajë më pak se 2 vjet të këtij dënimi. Kjo për shkak se deri më tani, i njëjti tashmë ka kaluar rreth 5 vjet e gjysmë në paraburgim.

Gogaj ndodhet në paraburgim nga data 23.09.2018 dhe do të vazhdojë të jetë nën këtë masë deri në momentin që aktgjykimi të marrë formën e prerë. Gjyqtarja e rastit në shpalljen e aktgjykimit ka bërë të ditur se kjo kohë e kaluar në paraburgim i llogaritet në dënimin e shqiptuar.

Sipas legjislacionit penal në Kosovë, aktgjykimi e merr formën e prerë 15 ditë pasi palët e pranojnë aktgjykimin në formë të shkruar e që asnjëra palë nuk parashtron ankesë në shkallë të dytë.

Prokuroria e kishte ngarkuar Gogajn me vrasje të rëndë, vepër kjo e cila me Kodin Penal të Kosovës dënohet nga 10 vjet burg deri në burgim të përjetshëm.

Ndërkaq, trupi i njëjtë gjykues për dy herë me radhë e ka ricilësuar veprën në vrasje nga pakujdesia.

Vrasja nga pakujdesia, sipas Kodit Penal, dënohet prej 6 muaj deri në 10 vjet burgim.

Trupi gjykues i cili morri këtë vendim kryesohet nga Violeta Husaj Rugova dhe përbëhet nga anëtarët Shaqë Curri dhe Sami Sharragjiu.

Përveç vrasjes nga pakujdesia, Gogaj u shpall fajtor edhe për armëmbajtje pa leje, vepër për të cilën u dënua me 3 vjet burgim. Kështu, për të dy veprat iu shqiptua dënimi unik prej 7 vjet e gjashtë muaj burgim.

Kujtojmë që Shaban Gogaj më 14.10.2022 nga Gjykata e Pejës ishte dënuar me 7 vjet e 6 muaj dënim me burgim për armëmbajtje dhe për vrasje nga pakujdesia. Këtë vendim e ka rrëzuar Gjykata e Apelit duke e kthyer rastin në rigjykim.

Sipas Apelit, në masë të duhur nuk janë vlerësuar të gjitha provat për të gjetur përfundimin e rikualifikimit të veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.

Raportimet e KALLXO.com në lidhje me këtë rast i gjeni në këtë LINK