Sekuestrohen më shumë se dy milion euro nga aksioni në “Call center”

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka sekuestruar dhe ka ngrirë 2 milion e 389 mijë e 750 euro në kuadër të operacionit në disa “Call Center”, nën dyshimet për mashtrim.

“Aksioni i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, i nisur më 31 mars 2021, në disa “Call Center” në 17 lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Ferizaj, ka vazhduar edhe gjatë ditëve në vijim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Sipas Prokurorisë, nga aksioni i Policisë së Kosovës, i realizuar gjatë ditës së djeshme janë gjetur dhe sekuestruar 1 milion e 529 mijë e 750 euro, para këto të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë e  “Call Center” në mënyrë të kundërligjshme, lidhur me veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Krimit të organizuar”.

“Vlen të theksohet se nga data 31 mars 2021 e deri më sot nga ky operacion i Prokurorisë Speciale janë gjetur dhe sekuestruar 1 milion e 689 mijë e 750 euro, janë ngrirë 700 mijë euro, janë sekuestruar nëntë vetura, janë arrestuar 18 persona, si dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, serverëve dhe telefonave mobil e të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale”, njofton Prokuroria Speciale.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për bastisjet e policisë në “Call Center”.

Dosja e Prokurorisë: Si funksiononte skema e mashtrimit të shtetasve gjerman nëpërmjet Call-Center