ILUSTRIM -kalimi-kufitar-Kosove-Serbi

Sekretari i Zyrës ndërlidhëse me Serbinë: Rreth 300 qytetarë të Kosovës janë bllokuar në kufirin me Kroacinë

Autoritetet kufitarë të Serbisë ka bllokuar rreth 300 qytetarë të Kosovës në pikëkalimin kufitar “Batrovci” mes Serbisë dhe Kroacisë.

Kështu ka thënë Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli.

Sipas tij, kjo vjen si hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.

Haxholli ka thënë se nga mesnata aty po mbahen të bllokuar së paku katër autobusë me targa dhe udhëtarë të Kosovës.

“Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’” – ka shkruar Haxholli në Facebook.

Sipas tij, zyra ndërlidhëse serbe nuk po komunikon me zyrën ndërlidhëse në Kosovë, prandaj Haxholli thotë dhe është në pritje të përcjelljes së afërt për të udhëtuar drejt “Batrovcit” për të qenë pranë qytetarëve edhe në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi.

Në Asamblenë Parlamentare më 16.04.2024, Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar, raporton gazetarja e KALLXO.com që ndodhet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KE.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.

Serbia ka bërë përpjekje të vazhdueshme që Kosova të mos anëtarësohet në Këshillin e Europës duke formuar edhe një grup punues që është thënë se do të merret me koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore për të parandaluar anëtarësimin eventual të Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës.

Përfaqësuesja e Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Biljana Pantiq, ka bërë thirrje që të mos miratohet raporti për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe ka ofenduar raportuesen për Kosovën në Këshillin e Europës, Dora Bakoyannis, duke e quajtuar “hipokrite”.