Parlamenti Europian, Strasburg, Francë. Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Deputetja serbe e quan "hipokrite" raportuesen për Kosovën, i tërhiqet vërejtja nga presidenti i Asamblesë

Edhe përfaqësuesja e Serbisë, edhe ai i Bosnjë dhe Hercegovinës, kanë bërë thirrje që të mos miratohet raporti për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Përfaqësuesja e Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Biljana Pantiq, e ka ofenduar raportuesen për Kosovën në Këshillin e Europës, Dora Bakoyannis, duke e quajtuar “hipokrite”, raporton Kallxo.com nga mbledhja e Asamblesë së Këshillit të Europës në Strasbourg.

Pantiq tha midis delegatëve që për raportin e përpiluar që fton Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit te Europës, Bakoyannis do të shënohet në histori si dikush që në mënyrën më brutale ka shkelur të gjitha normat e të drejtës ndërkombëtare.

“Keni thënë qartë që e ashtuquajtura Kosovë duhet të plotësojë tre kushte për të pasur opinion pozitiv. E para dhe kushti më fundamental ka qenë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Themelimi i Asociacionit është parakusht themelor i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit” – tha ajo.

Sipas saj, nëse Bakoyannis fton të “ashtuquajturën Kosovë në Këshillin e Europës pa themelimin e Asociacionit”, ai nuk do të themelohet kurrë.

Fjalorit të saj të papërshtatshëm i reagoi presidenti i Asamblesë Parlamentare, Theodoros Rousopoulos, duke iu drejtuar se debatet duhet të bëhen në mënyrë të duhur sipas rregullores.

“Anëtarët nuk mund të bëjnë asgjë që mund të shkaktojë kaos të procedurave”- tha ai.

Edhe përfaqësuesi i Bosnjë dhe Hercegovinës, Branisllav Borenoviq, bëri thirrje të mos miratohet raporti për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Europës.

Sipas tij, nuk mund të bëhet një propozim i tillë pa pëlqimin e Serbisë, pasiqë mund t’i dërgojë mesazh Katalonisë, Skocisë  e Tirolit Jugor.

Raporti i Bakoyannis rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës pa asnjë parakusht shtesë.

Nëse 2/3 e delegatëve të vendeve anëtare do ta votojnë përfundimisht Opinionin e miratuar nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci më 27 mars, kjo do i hapë rrugë votimit të fundit nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.

Në hapin e parë, raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim.

Kundër votuan dy deputetë nga Serbia, një nga Mali i Zi dhe një nga Bosnja e Hercegovina.

Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2012 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.

Kosova ka aplikuar më 12.05.2022, për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.