Këshilli i Europës në Strasburg, Francë. Foto: Antigonë Isufi/ Kallxo.com
Kosova triumfon drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës
Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një hap që të bëhet anëtare e Këshillit të Europës (KE).
Në Asamblenë Parlamentare më 16.04.2024, Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar, raporton gazetarja e KALLXO.com që ndodhet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KE.
Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.
Votimi i sotëm i hap rrugën votimit përfundimtar nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.
Kosova ka aplikuar më 12.05.2022 për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla.