“Sejdiu & Qerkini” ndërmarrin iniciativë ligjore strategjike, duke përfaqësuar Fadil Hoxhën, sinjalizuesin e RTK-së

Korab Sejdiu është avokati, i cili i kishte zhvilluar disa padi strategjike “pro bono” (pa kompensim financiar) në të kaluarën dhe më së paku dy padi të rëndësishme kishin pasur sukses dhe kishin ndërruar qasjen e shoqërisë ndaj paditësve në ato raste.

Padi strategjike quhen ato padi që kanë për qëllim të çojnë një interes publik përpara duke krijuar praktikë të re gjyqësore si dhe duke krijuar precedent në trajtimin e rasteve në interes të publikut.

Padia e parë që kishte përfaqësuar Sejdiu ishte ajo e Diana Kastratit, e cila ishte vrarë më 2011, ndërsa padia e dytë dhe e tretë ishin padi të bëra më 2013 për ta përfaqësuar BIRN-in për të kërkuar qasjen në dokumente zyrtare që iu kishte ndaluar në dy institucione, në Zyrë të Kryeministrit (faturat e shpenzimeve) dhe Këshill Prokurorial të Kosovës (vendimet disiplinore).

Tash më 2023, Sejdiu vendosi të përfaqësojë rastin e Fadil. B Hoxhës, kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së dhe sinjalizues nga mediumi publik, padi kjo e deponuar në shkurt si pjesë e iniciativës që tenton t’i bindë gjykatat e Kosovës që sinjalizuesit duhet të mbrohen nga shteti, e jo të luftohen.

Arsyeja pse “Sejdiu & Qerkini” e kanë marrë rastin e Fadil B. Hoxhës “pro bono” është sepse dëshirojnë të lënë gjurmë duke ndryshuar praktika gjyqësore.

“Jemi një grup njerëzish që mendojmë se profesioni ynë është pak më tepër se vetëm fitimprurës. Çështja është se qëllimi jonë është edhe të lëmë gjurmë në sistemin e drejtësisë dhe në vendin tonë. Konsiderojmë se është një kontribut, por edhe si obligim që për secilin avokat, një pjesë të kohës t’ia dedikojmë këtyre shërbimeve, pra pro bono (pa kompensim financiar). Por ne nuk jemi të vetmit që ofrojmë shërbime të tilla” – ka shtuar Sejdiu.

Avokati Burim Azemi, i cili është duke punuar në kuadër të Shoqërisë së Avokatëve “Sejdiu & Qerkini” e shpjegoi rastin e Hoxhës në emisionin “Kallxo Përnime”.

Azemi e shpjegoi se si e kishte deponuar padinë strategjike në Gjykatën e Prishtinës, duke bërë propozim për masë të sigurisë për sinjalizuesin e RTK-së që është Fadil Hoxha, njëherësh kryetar i Sindikatës së Punëtorëve në RTK-së.

“Ngjarja ka filluar më 2022, kur është ndërruar menaxhmenti i RTK-së, paditësi Hoxha ka sinjalizuar drejtorin e përgjithshëm të RTK-së për keqpërdorim të detyrës zyrtare, rasti është lajmëruar te AKK-ja, por tash është te Prokuroria Speciale” – ka thënë Azemi.

Në fund të vitit 2022 Hoxha është degraduar në pozitë për 5 shkallë. Sindikata e Pavarur e RTK-së e ka quajtur këtë vendim hakmarrës për shkak të llogaridhënies që Sindikata po kërkon për menaxhimin e RTK-së, ndërsa drejtori i përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj thotë se nuk kishte ndikim në proces.

Hoxha është degraduar në pozitën “inxhinier përgjegjës” nga pozita udhëheqës i Njësisë së hulumtimit në fillim të këtij muaji. Hoxha është ekonomist i diplomuar dhe është degraduar në pozitën e inxhinierit për të cilën nuk është i kualifikuar sepse nuk e ka kryer elektron.

Hoxha si udhëheqës i Sindikatës që gati një dekadë kishte bërë sinjalizime për shkeljet që menaxhmentet e RTK-së të udhëhequr nga drejtorë e borde të ndryshme i kishin bërë.

Rastet strategjike ligjore që udhëhiqen nga “Sejdiu & Qerkini” bazohen në praktikën e  ushtruar në SHBA për raste specifike ku viktimat kanë rënë pre e ndonjë padrejtësie institucionale dhe beteja e të cilëve u shërben edhe atyre që vijnë pas këtyre viktimave me raste të ngjashme.

Në rastin e Diana Kastratit, gruas që u vra nga ish-burri i saj, i cili kishte urdhër të rrinte larg, familja e viktimës zgjodhi të përfaqësohej nga Korab Sejdiu duke e fituar betejën epike disavjeçare për të marrë kompensim nga shteti që kishte dështuar ta mbrojë Kastratin.

Rasti i dytë kishte qenë padia strategjike e BIRN-it, ku Korab Sejdiu në fillim me një projekt të Ambasadës amerikane, por pastaj disa vite komplet “pro bono” (ngase rasti zgjati 7 vite e projekti i Ambasadës pagoi për 3 vite), arriti t’i bindte gjykatat e Kosovës që BIRN kishte të drejtë të ketë qasje në faturat e ushqimeve që pushtetarët i paguanin me taksa publike.

Kjo padi filloi në kohën kur kryeministër ishte Hashim Thaçi, vazhdoi në kohën kur kryeministër u bë Isa Mustafa dhe pastaj Ramush Haradinaj.

Në fund, me urdhër për përmbarim të zbatimit të vendimit, BIRN arriti të ketë qasje në këto fatura duke botuar kështu hulumtimin “Sa han shefi”, një seri artikujsh që zbuluan kështu që taksat e Kosovës ishin harxhuar për të blerë verëra të shtrenjta mbi 80 euro dhe lukse të tjera të cilat krijuan një standard të ri në shpenzimin e parasë publike.

Që nga ajo ditë, shumica e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, kryetar komunash dhe udhëheqës të nivelit qendror, i bëjnë vetë publike shpenzimet e zyrave të tyre për dreka e darka pas kritikave të shumta që buxheti i Kosovës po shpenzohej pa kurrfarë kulture të “shpianikut” të mirë.