Avokati Sejdiu: Vrasja e Diana Kastratit - rast i dështimit të shtetit

Në emisionin “Kallxo Pernime“ po transmetohet reportazhi “Historia e reformës” që u kushtohet grave të vrara në Kosovë në 12 vitet e fundit.

Një ndër këto raste është edhe ai i Diana Kastratit, e cila u vra më 18 maj të vitit 2011, në rrugë, në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë, nga ish-partneri i saj, me të cilin bashkëjetonte për më shumë se 10 vjet. Ata së bashku kishin një vajzë, por nuk kishin kurorë formale martesore.

Lidhur me këtë, Korab Sejdiu, avokat i familjes së Diana Kastratit, ka thënë se mosveprimi i institucioneve për të mbrojtur të ndjerën ka qenë cenim i  të drejtës në jetë nga ana e shtetit për Dianën.

“Këtu kemi të bëjmë me dy raste: rasti i parë ka qenë rasti në Gjykatën Kushtetuese, ku është kërkuar nga gjykata dhe gjykata ka vendosur që mosveprimi i Republikës së Kosovës për të mbrojtur të ndjerën ka qenë cenim i  të drejtës në jetë nga ana e shtetit për Dianën” – ka thënë ai në emisionin “KALLXO Përnime”.

“Është pjesa tjetër pastaj që ka pasuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nga aktgjykimi i tyre, është pjesa e kërkesës për kompensim dëmi që është bërë ndaj Republikës së Kosovës në procedura civile dhe për shkak se Gjykata në Prishtinë ka qenë e përfshirë në rastin është transferuar në Gjykatën Themelore të Prizrenit dhe tash ka tri vite që presim një vendim nga Gjykata e Apelit pasi që përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në këtë rast kanë paraqitur ankesë” – ka vijuar avokati.

Ai ka thënë se në këtë rast ka dështuar Republika e Kosovës që të zbatojë rregullat ligjore që janë të parapara për ta mbrojtur një viktimë të dhunës në familje.

“Kështu që mbesim në pritje, por thjesht ka qenë një rast ku ka dështuar Republika e Kosovës, përkatësisht në këtë rast Gjykata që të zbatojë rregullat ligjore që janë të parapara për ta mbrojtur një viktimë të dhunës në familje, në rastin konkret ka qenë rasti i Dianës ku ka qenë e njoftuar Gjykata se ajo është në kërcënim të vazhdueshëm nga personi në fjalë dhe ka dështuar që të lëshojë një urdhër për mbrojtje që pastaj i jep asaj edhe mundësi të tjera, dhe si rezultat pas një kohe shumë të shkurtër është kryer ajo vepër makabre e dorasit në këtë rast dhe është vazhduar tutje pastaj me kërkesën e përgjegjësisë ndaj Republikës së Kosovës në këtë rast për mosveprim. Domethënë për mospërmbushje të obligimeve kushtetuese dhe ligjore që i ka pasur ndaj çdo qytetari, çdo viktime të dhunës në familje, në këtë rast veçanërisht ndaj Dianës së ndjerë” – tha avokati.