Peticioni për shkarkimin e kryetarit të Bordit të RTK-së, përballja Hoxha - Boletini në Komisionin parlamentar

Sindikata e Pavarur e RTK-së po kërkon shkarkimin e kryetarit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini përmes një peticioni të nënshkruar nga 361 punëtorë.

Dorëheqja e Boletinit po kërkohet pas deklaratës së tij se ai merr informacione se në mediumin publik “punëtorët vijnë me pizhame e miniqa” dhe pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com për diskriminimin e tri grave në konkurset për pozita të larta menaxheriale.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka thirrur sot në takim përfaqësuesit e Sindikatës dhe bordin e RTK-së.

“Do të duhej të ju ketë bërë aq keq vartësve të tij që ata ta kërkojnë dorëheqjen e kryetarit. Është hera e parë në RTK që punëtorët masivisisht që brenda 24 ore kanë jep nënshkrimin e tyre 300 punëtorë”, tha Fadil Hoxha, kryetar i Sindikatës.

Tutje Hoxha tha se gjuha që e ka përdor kryetari i bordit ka ndikuar që punëtorët që janë figura televizive që të tallen në publik.

“Gjuha e tij është përdor në një mbledhje të bordit, nuk ka ndodh rastësisht. Atë gjuhë Boletini e ka përdor para anëtarëve të bordit, mediave e sindikatës. Kryetari i bordit ka thënë se çdo ditë merr informata  se në RTK punëtorët vijnë me pizhama e miniqa vetëm për me bë check-out”, tha tuje Hoxha.

“Kush janë ata njerëz që i raportojnë çdo ditë kryetarit të bordit, a janë punëtorë të RTK, pse kryetari është aq i interesuar për këto informata”, tha ai.

Hoxha tha se është hera e parë në histori që pozitë e opozitë dakordohen që bordi të jetë 50/50 dhe se kanë pritur që ky bord kanë me vazhdu këtë frymë në menaxhmentin e lartë.

“Por sot 100% menaxhmenti i lartë është burra. Ky Bord pa asnjë arsyetim i ka refuzu dy emra të grave që kanë marrë poentim maksimal nga komisionet vlerësuese dhe në një rast tjetër Boletini kur e merr vesh që një grua ka dal e para e thirr në takim informativ. Tash kanë fillu që gratë t`i eliminojnë edhe nga mikrofoni. Është një emision ‘Divers’ që vlerësohet që ka shikueshmëri. Edhe aty kryetari i bordit, skena programore është mirë të miratohet pa këtë emision. Situata është alarmante dhe pres që ju si komision të na përkrahni që ky kryetar të shkarkohet edhe pse ka pak ditë deri në përfundim të mandatit”- tha Fadil Hoxha, kryetar i SPRTK.

Besnik Boletini, kryetar i Bordit tha se është mirë që diskutohet për çështje të ndryshme.

“Si Bord kemi pas qëllim transparencën. Kemi hap bordin për monitorim. Mbledhjet diskutimet kanë qenë të hapura. Ne ka pas një periudhë ku kemi marrë shqetësime nga punëtorët që disa po vijnë vetëm për hyrje dalje. Kemi diskutu dhe kemi thënë që duhet të bëhet një raport mujor për aktivitet e punës. Ajo çka është citu është e vërtetë e kam thënë ashtu si më është dhënë si info. Nuk ka qenë mënyra më e mirë që unë jam shpreh”, tha ai.

“Të nesërmen kam dërgu email te punëtorët për të sqaruar situatën. Çështja e raportimit mujor në RTK nuk është prit më së miri. E para e punës peticioni është shpërnda në të gjithë emailet me një pikë, pikat e tjera janë shtu. Andaj është manipulu sepse njerëzit kanë nënshkru pa të gjitha pikat, disa janë shtu. Dera ime ka qenë e hapur me të gjithë punëtorët”, tha ai.

Boletini tha se nuk kanë luftë me gratë.

“Takimet nuk janë informative këto janë imagjinare. Nuk është e vërtetë që e kam dekuraju, zonjën në fjalë. Ne e kemi pas një mbikëqyrje të skemës programore dhe kemi pas disa ankesa që disa emisione nuk po përgatiten. Nuk është e vërtetë që ne kemi luftë me gratë. 10 emisione të reja janë në skemën e re programore që 90% prej tyre udhëhiqen nga gratë”- tha Besnik Boletini.

 

Raportime nga KALLXO.com – LINK