Hoxha: Peticionin për shkarkimin e kryetarit të bordit të RTK-së për dy orë e nënshkruan 150 punëtorë

Sindikatat e punëtorëve të RTK-së sot kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin për të kërkuar dorëheqjen e kryesuesit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Peticioni është organizuar nga Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Radiotelevizionit të Kosovës, Fadil Hoxha, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se deri më tani janë mbledhur mbi 100 nënshkrime.

“Besnik Boletinin e pritem dy dite te reflektoje, të tërhiqet nga posti i kryetarit te Bordit. Pasi që nuk e beri atë, ne të punësuarit e RTK-se sot pasdite nisem peticionin për largimin e tij nga Bordi. Për vetëm dy ore angazhim, 150 punëtor dhanë nënshkrimin për largimin e tij. Kjo tregon me se miri se sa të irrituar janë punëtorët nga deklarimet dhe veprimet e tij”- ka shkruar ai në Facebook.

Dorëheqja e Boletinit po kërkohet pas deklaratës së tij se ai merr informacione se në mediumin publik “punëtorët vijnë me pizhame e miniqa”.

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës të mërkurën ka miratuar propozimin që punëtorët të raportojnë për punët që kryejnë brenda orarit e më pas të bëhet edhe raport mujor për punën e secilit.

“Mendoj se duhet të marrim një vendim për raport mujor të secilit punëtor në RTK sepse unë përditë marr informacione se punëtorët vijnë me pizhame, miniqa, vijnë bëjnë check out dhe kjo është e papranueshme”- kishte thënë kryetari i bordit Besnik Boletini para pak ditësh gjatë mbledhjes së bordit.

Sindikata e Pavarur e RTK-së e ka konsideruar fyerje një deklaratë të tillë të Boletinit.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, ka monitoruar mbledhjen e 6 shtatorit të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Kallxo.com më 1 shtator ka publikuar hulumtimin “Radio Televizioni i Burrave”, i cili zbulon se si tri profesioniste të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në RTK nuk u lejuan t’i marrin ato pozita.

Rrëfimet ekskluzive të tyre tregojnë për prapaskenat, negociatat, thirrjet në zyra e takimet që synuan t’i bindnin ato të tërhiqeshin nga gara.

Dëshmitë konfirmojnë se Besnik Boletini e Shkumbin Ahmetxhekaj diskutuan me kandidatet gjatë procesit të rekrutimit dhe vendimmarrjes.

Përfundimisht, ato që u zgjodhën të parat në konkurset fillestare, nuk u emëruan në pozita të larta menaxhuese në Radiotelevizionin e Kosovës.

Sindikata e RTK-së kërkon dorëheqjen e kryetarit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini