'Përballja’ e bordit të RTK-së dhe sindikatave në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut

Komisioni për të Drejtat e Njeriut thirri në takim të mërkurën, më 8 nëntor, përfaqësuesit e sindikatave të Radiotelevizionit të Kosovës dhe bordin. Kjo pasi sindikatat po kërkojnë shkarkimin e kryetarit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Fadil Hoxha, kryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, shpalosi arsyet pse po kërkojnë shkarkimin e kryetarit të bordit, Besnik Boletini.

“Do të duhej të ju ketë bërë aq keq vartësve të tij që ata ta kërkojnë dorëheqjen e kryetarit. Është hera e parë në RTK që punëtorët masivisht, që brenda 24 orësh, kanë dhënë nënshkrimin e tyre 300 punëtorë”- tha Fadil Hoxha, kryetar i Sindikatës.

Hoxha tha se gjuha që e ka përdorur kryetari i bordit ka ndikuar që punëtorët që janë figura televizive të tallen në publik.

“Gjuha e tij është përdorur në një mbledhje të bordit, nuk ka ndodhur rastësisht. Atë gjuhë Boletini e ka përdorur para anëtarëve të bordit, mediave e Sindikatës. Kryetari i bordit ka thënë se çdo ditë merr informata se në RTK punëtorët vijnë me pizhama e ‘miniqa’ vetëm për me bë check-out”- tha Hoxha.

“Kush janë ata njerëz që i raportojnë çdo ditë kryetarit të bordit? A janë punëtorë të RTK? Pse kryetari është aq i interesuar për këto informata?”- pyeti ai.

Besnik Boletini, kryetar i bordit, e pranoi se e ka bërë atë deklarim në mbledhjen e bordit, duke thënë se nuk ka qenë mënyra më e mirë e të shprehurit.

Boletini kishte thënë se “merr informacione që në RTK punëtorë vijnë me miniqa dhe pizhame”.

“Ne ka pasë një periudhë kur kemi marrë shqetësime nga punëtorët që disa po vijnë vetëm për hyrje-dalje. Kemi diskutu dhe kemi thënë që duhet të bëhet një raport mujor për aktivitetet e punës. Ajo çka është citu është e vërtetë, e kam thënë ashtu si më është dhënë si info. Nuk ka qenë mënyra më e mirë që unë jam shprehur”- tha ai.

“Të nesërmen kam dërgu email te punëtorët për të sqaruar situatën. Çështja e raportimit mujor në RTK nuk është pritur më së miri. E para e punës peticioni është shpërnda në të gjithë emailet me një pikë, pikat e tjera janë shtu. Andaj është manipulu sepse njerëzit kanë nënshkru pa i parë të gjitha pikat, disa janë shtu. Dera ime ka qenë e hapur me të gjithë punëtorët”- tha ai.

Boletini tha se nuk kanë luftë me gratë.

“Takimet nuk janë informative, këto janë imagjinare. Nuk është e vërtetë që e kam dekuraju zonjën në fjalë” – tha Boletini.

Ilire Zajmi, e cila në hulumtimin e KALLXO.com, ‘Radio Televizioni i Burrave të Kosovës’ kishte thënë se gjatë procesit të konkursit për zëvendësdrejtor të përgjithshëm të RTK-së, Boletini e kishte ftuar në takim duke thënë ‘që ky konkurs është i kontaminuar, ka pasur parregullsi, nuk është bërë vlerësimi si duhet nga ana e komisionit”, më 8 nëntor ka thënë për KALLXO.com se “ajo bisedë informative që Besnik Boletini tha që është për çështje të “mediave online” kishte qenë për të diskutuar pozitën për të cilën unë kisha aplikuar”. 

Boletini në këtë komision të mërkurën ka kërkuar falje për deklaratën e tij të dhënë në mbledhjen e bordit të 6 shtatorit se “ merr informacione që punëtorët vijnë me miniqa dhe pizhame”.

“Në fjalim e kam citu dikë, nuk kena folë kurrë për veshje, as për dukje. Unë të nesërmen kam dërgu email, ku kam shprehur keqardhjen time që në përcpetimin tim është kërkim-falje por edhe kërkim-falje kam për të gjithë ata që kanë mujtë me u ndje të fyer. I kuptoj, ka pakënqasi të shumta për shkak të reformës. Unë kërkoj falje 100 herë sepse nuk ka qenë mënyra e mirë e të shprehurit”- tha Boletini. 

Albana Haxhimustafa Murseli, nënkryetare e SPRTK-së, tha se ajo ka qenë pjesë e mbledhjes së bordit të mbajtur më 6 shtator kur e ka dëgjuar Boletinin të thotë se merr informacione se “punëtorët në RTK po vijnë me miniqa e pizhame”.

 “Unë jam e vetmja dëshmitare e asaj mbledhjeje nga Sindikata. Nuk është aspak e vërtëtë që është përfolë dhe anshkalu kur kryetari i bordit dhe jo vetëm kanë folë për ‘miniqa’, pizhame e veshje të fitnesit, thjesht janë etiketu të gjithë punëtorët e veçanarisht gratë për plot 15 minuta… gratë kryesisht janë të shkelura” –  tha ajo.

Temë diskutimi të mërkurën ishte edhe skema e re progamore e miratuar nga bordi.

Eliza Hoxha, deputete nga PDK, akuzoi bordin për ndërhyrje në skemën programore si dhe largimin e disa emisioneve.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha, përmendi emisionin ‘Divers’ nga Kaltrina Ajeti, i cili është larguar nga skema.

Kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini, tha se largimi i këtij emisioni ka ndodhur për shkak të ankesave se ai nuk po përgatitet. 

“Ne e kemi pasë një mbikëqyrje të skemës programore dhe kemi pasë disa ankesa që disa emisione nuk po përgatiten. Nuk është e vërtetë që ne kemi luftë me gratë. 10 emisione të reja janë në skemën e re programore që 90% prej tyre udhëhiqen nga gratë”- tha kryetari i bordit, Besnik Boletini.

Moderatorja Kaltrina Ajeti, e cila e ka nënshkruar peticionin për shkarkimin e Boletinit, ka thënë që ka kontaktuar menjëherë bordin dhe menaxhmentin e RTK-së me të dëgjuar përmendjen e emrit të saj si emision që është larguar nga RTK, duke folur për diskriminim ndaj saj.

“Më datë 10.11.2023, jam njoftuar nga menaxhmenti se bordi i RTK-së, me përjashtim të anëtares Shukrije Rama, ka vendosur ta votojë skemën programore të RTK TV-së me kushtin e largimit të emisionit “Divers”, të drejtuar nga unë për më shumë se dy vjet. Për më tepër, si arsye për këtë vendim të tyre skandaloz, ishte përdorur ritransmetimi i emisionit gjatë verës së vitit të kaluar (2022), kur unë isha në pushim vjetor”- thuhet në letrën e saj.

“Përmes këtij vendimi të paprecedent e joprofesional, bordi i RTK-së ka shkelur Ligjin e RTK-së, Nr. 04/L-046, duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e tij dhe të statutit të RTK-së, të cilat e sqarojnë qartë se skema programore e RTK-së përgatitet dhe i dërgohet bordit për miratim, përderisa përcaktohet që pjesën profesionale të programit të institucionit e udhëheq drejtori i Televizionit, në koordinimin me kryeredaktorin.”

“Nga Bordi kërkoj arsye pse u insistua me ngulm deri në shkelje te ligjit, heqja e emisionit Divers? Sa programe të RTK-së, që janë reprizuar, janë përfshirë në skemën e re programore dhe pse? Pse kjo çasje tendencioze dhe diskriminuese ndaj programit “Divers”?” – përfundon letra e saj e dërguar më 8 nëntor, letër të cilën e ka parë KALLXO.com.

Fadil Hoxha, kryetar i SPRTK-së, kërkoi nga Komisioni parlamentar për të Drejta të Njeriut të marrë seriozisht kërkesën e tyre për shkarkimin e kryetarit të bordit.

“361 nënshkrime kërkojnë shkarkimin e Boletinit. Ne nuk duhet të tolerojmë këtë gjuhë sepse RTK e ka mision me i demasku njerëzit si Besnik Boletini. Po ju lus në emër të 361 me e marrë seriozisht këtë kërkesë. Nëse Besnik Boletini nuk shkarkohet do të na detyron të shkojmë me protesta, grevë e shatora. E kemi shumë seriozisht, nuk e kemi personale. Nuk mund të kemi dikë në krye të RTK-së që i fyen punëtorët” – tha ai drejtuar deputetëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

Për kryetarin e bordit, Besnik Boletini, arsyeja e vërtetë e kërkesës për shkarkimin e tij lidhet me vendimin që punëtorëve t’u kërkohet raport ditor për punët në RTK.

“Pse është tu ju pengu raportimi? Thelbi i problemit është me pa kush sa punon”- tha ai. 

Përderisa bordi vazhdimisht ne këtë Komision parlamentar kërkon raportim të punëtorëve të RTK-së për të vlerësuar punën e tyre, KALLXO.com ka pyetur se a e ka vlerësuar bordi menaxhmentin e RTK-së. 

Kryetari i bordit, Besnik Boletini, ka thënë se bordi i RTK-së e vlerëson punën e drejtorit të përgjithshëm përmes raportit vjetor të punës.

“Drejtori i Përgjithshëm, një herë në vit harton një raport mbi ofrimin e përmbajtjes kulturore, artistike, informative, dokumentare apo edukative/arsimore, të cilin ia paraqet bordit të RTK-së për miratim. Ky raport pas diskutimit të detajshëm hidhet në votim në bord. Sipas Ligjit për RTK-në, përkatësisht neni 7, pika 3, nëse Bordi i RTK-së nuk e miraton ose aprovon raportin, ai do të fillojë procedurën e shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm. Gjithashtu bordi pranon për çdo muaj raportin mujor të punës të cilin e diskuton në detaje dhe secili anëtar i sheh aktivitetet që janë zhvilluar”- ka thënë ai.

Boletini ka thënë se bordi nuk vlerëson pjesën tjetër të menaxhmentit të lartë “sepse ata janë vartës të drejtorit të përgjithshëm dhe rrjedhimisht ai e vlerëson edhe punën e tyre”.

Peticioni për shkarkimin e Boletinit për gjuhën që punëtorët dhe shumë deputetë e kishin vlerësuar si seksiste, ishte dorëzuar në Kuvendin e Kosovës me 361 nënshkrime nga gjithsej 757 punonjësit e RTK-së.

Peticioni nga tri sindiktat e RTK-së kishte nisur pasi KALLXO.com kishte raportuar për deklaratën e kryetarit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini  se “… unë përditë marr informacione se punëtorët vijnë me pizhame, miniqa, vijnë bëjnë check-out dhe kjo është e papranueshme”.

Pas kësaj deklarate kishte pasur reagime të shumta brenda dhe jashtë RTK-së, duke dënuar gjuhën e përdorur nga kryetari i bordit, Besnik Boletini. 

Një ndër arsyet që sindikatat e RTK-së e kishin futur në peticionin që kërkonte shkarkimin e Boletinit është edhe hulumtimi i BIRN,“ Radio Televizioni i Burrave të Kosovës”, hulumtim ky mbi diskriminimin e tri grave në konkurset për pozitat e menaxhmentit të lartë në radiotelevizionin publik.

Në këtë hulumtim ekskluziv, Ilire Zajmi, udhëheqëse e Qendrës së Aftësimit Profesional, Flora Durmishi, redaktore e kulturës në Radio Kosovë dhe Mihrije Beiqi, menaxhere për legjislacion në RTK, rrëfejnë procesin i cili i la jashtë pozitave për të cilat u zgjodhën.

“Radio Televizioni i Burrave” ngjalli reagimet e një vargu të gjatë të aktivistëve të të drejtave të njeriut.

Përplasje të ashpër gjatë tre orëve debat të mërkurën në Komisionin për të Drejta të Njeriut ka pasur mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Kjo pas kritikave nga kryetarja Duda Balje dhe nënkryetarja e këtij Komisioni, Arjeta Fejza, se deputetet e opozitës nga PDK dhe AAK, po bënin pyetje jashtë rendit të ditës. 

www.kallxo.com