Degradimi i Fadil Hoxhës në pozitë - Sindikata e quan vendim hakmarrës, Ahmetxhekaj thotë se nuk kishte ndikim në proces 

Shkumbin Ahmetxhekaj, drejtori i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), e ka degraduar Fadil B. Hoxhën, kryetarin e Sindikatës së Pavarur të RTK-së për 5 shkallë, 9 muaj pasi të dytë kandiduan për drejtor të RTK-së

Sindikata e Pavarur e RTK-së e ka quajtur këtë vendim hakmarrës për shkak të llogaridhënies që Sindikata po kërkon për menaxhimin e RTK-së, ndërsa Ahmetxhekaj thotë se nuk kishte ndikim në proces.

Hoxha është degraduar në pozitën “inxhiner përgjegjës” nga pozita udhëheqës i njësisë së hulumtimit në fillim të këtij muaji. Hoxha është ekonomist i diplomuar dhe është degraduar në pozitën e inxhinierit për të cilën nuk është i kualifikuar sepse nuk e ka kryer elektron.

E gjitha filloi kur më 25 nëntor, Alban Fetahu, udhëheqës i sapocaktuar i Shërbimeve të Përbashkëta, i cili punon nën menaxhimin e Ahmetxhekajt, i dërgon e-mail Hoxhës si vërejtje se në ora 9:13 nuk gjendet në zyre

Në atë mëngjes, Hoxha kishte qenë në mbledhje të sindikatës të cilën e kishte lajmëruar një ditë më herët, në zyrën e cila gjendet në ndërtesën e njejtë të RTK-së ku Fetahu e kishte bërë inspektimin. 

Më 29 nëntor Hoxha i ka dërguar Bordit të RTK-së dhe KALLXO.com disa dokumente që dëshmojnë këtë: evidencën elektronike të hyrjeve e daljeve që dëshmon që ai kishte hyrë në RTK në 8:31, njoftimin e kryesisë një ditë më herët për mbledhje të sindikatës, fotografi me anëtarë tjerë nga mbledhja e sindikatës, e cila kishte qenë duke ndodhur në mëngjesin që Fetahu kishte vendosur ta bëjë inspektimin. 

Më 12 dhjetor Sindikata lëshon komunikatë që lajmëron se kryetari i sindikatës ka pranuar jo vetëm vërejtje për mos-prani në zyrë, por tash degradim 5 shkallësh për atë që në vendim thuhet se është “shkelje e lehtë”. Në këtë komunikatë thuhet që Hoxha degradohet në një pozitë për të cilën s’është i kualifikuar për shkak se e ka denoncuar menaxhmentin në Polici për kërcënim, për shkak se Sindikata ka reaguar për këtë kërcënim dhe për shkak të deklarimeve publike të kryetarit dhe komenteve të tij në rrjetet sociale.

Sindikata thotë që ky vendim i lëshuar për mungesë në vend pune gjatë aktivitetit sindikal është hakmarrës dhe ka për qëllim frikësimin e denoncuesve të parregullsive në RTK.

“Ky vendim arbitrar, pa Komision disiplinor, me motive puro hakmarrëse ndaj aktivizimit sindikal të SPRTK-së është cenim i demokracisë dhe lirisë për organizim sindikal e drejtë kjo e garantuar me çdo normë ligjore vendore e ndërkombëtare”- thotë deklarata për shtyp e datës 16 dhjetor. 

“Në arsyetimin e këtij vendimi skandaloz për degradim që ka për qëllim frikësimin e të punësuarve dhe çdo zëri denoncues ndaj parregullsive në RTK përmenden si shkelje njoftimi i organeve të rendit dhe reagimi i kryesisë së SPRTK-së” – vazhdon kjo komunikatë.

Ahmetxhekaj në anën tjetër kishte reaguar fillimisht më 25 nëntor lidhur me këtë rast duke i thënë KALLXO.com-it se “.. është obligim i secilit udhëheqës njësie në RTK që të mbikëqyr mbarëvajtjen dhe prezencën e stafit në punë, ashtu siç është e përcaktuar me kontratat e tyre të punës”.

Ndërsa më 16 dhjetor, Ahmetxhekaj tha për KALLXO.com se “.. jam informuar se mbikëqyrësi  i drejpërdrejtë ia ka shqiptuar të punësuarit, z. Hoxha një masë disiplinore, në bazë të Rregullores për Përgjegjësi Materiale dhe Disiplinore, për shkelje të detyrimeve nga marrëdhënia e punës”.

“Rasti është në procedurë dhe ende nuk kemi pranuar ndonjë ankesë zyrtare lidhur me vendimin e shqiptuar. Në rast të pranimit të ndonjë ankese brenda afatit ligjor, rasti do të trajtohet dhe do të vendoset në shkallë të dytë, konform dispozitave të rregullativës së brendshme të RTK-së.”

Ankesa ka kohë 8 ditë prej shqiptimit të vendimit dhe Hoxha ka paralajmëruar ankimim. Policia e Kosovës e ka konfirmuar që me t’u raportuar ky rast e ka involvuar edhe Inspektoratin e Punës.

Historiku i kësaj “beteje” mes menaxhmentit dhe sindikatës ka të bëjë me kritikat e shumta që kishte bërë Hoxha menaxhmentit të tanishëm të RTK-së, por edhe menaxhmenteve të kaluara. Për shumë prej këtyre kritikave, KALLXO.com ka raportuar duke i konfirmuar prej burimeve tjera. 

Hoxha ka kritikuar menaxhmentin e tanishëm që sipas tij nuk ka kredibilitet të mjaftueshëm të kompletojë stafin udhëheqës për RTK duke përfshirë pozitat kryesore për përmirësimin e programit të dobët në RTK. 

Këto pozita që nuk janë mbushur ende janë kryeredaktor i lajmeve, drejtor i Televizionit, zv/drejtor i televizionit dhe drejtor i Radios. Përveç kësaj, Hoxha e kishte denoncuar rastin e dëmit rreth 20 mijë eurosh që mund t’i ndodhte RTK-së pasi që Ahmtxhekaj, kur u caktua drejtor i RTK-së, vendosi ta tërheq RTK-në nga procesi gjyqësor me Arsim Halilin, ish-redaktor i RTK-së që kërkonte kompensim pasi që ishte degraduar nga pozita për shkak të komenteve homofobike që i kishte bërë më 2016. 

Lidhur me raportimin rreth procesit gjyqësor të këtij rasti, Ahmexhekaj u ankua kundër 12 mediumeve online që raportuan për veprimet hetimore të prokurorisë në një rast ndaj drejtuesve të RTK-së, duke përfshirë edhe KALLXO.com. Kjo betejë u humb kur KALLXO.com argumentoi në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës që kjo ankesë e Ahmetxhekajt kundër mediumeve është e stilit SLLAP, që ka për qëllim “të shukasë çfarëdo kritikë për të dhe bashkëpunëtorët e tij”

Hoxha po ashtu kishte kërkuar llogari nga bordi se pse po e mbanin si anëtar të bordit Ivan Radulloviqin që ishte gazetar i Tanjugut. Në praktikën e deritanishme të RTK-së nuk është e lejuar që anëtarët e Bordit të RTK-së punojnë edhe për një media tjetër. 

Bordi nuk veproi në këtë drejtim por më vonë, kur serbët dhanë dorëheqje prej institucioneve të Kosovës, edhe Radulloviqi dha drëheqje dhe vazhdoi punën për Tanjug, duke i vërtetuar kështu pohimet e Hoxhës të cilat inicialisht nuk u morën seriozisht nga bordi.

Degradimi i Hoxhës u diskutua edhe në mbledhjen e bordit të mbajtur të premten, më 16 dhjetor, në RTK.

Shukrije Rama, anëtare e Bordit të RTK-së e kritikoi vendimin për degradim: 

“Duhet të sigurohemi për lirinë e aktvitetit sindikal. Ne të gjithë e dimë që liria sindikale është vlerë e BE-së. Nëse ne si bord e përshëndesim një vendim të tillë (degradimin e kryesindikalistit) atëherë do të demtohet edhe reputacioni i RTK-së, por edhe ne do ta dëmtojmë veten si bord. Domëthënë në mandatin tonë po pengohet aktivizmi sindikal. Kështu që unë distancohem nga kjo dhe vendimi”- tha Rama.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini tha se në këtë proces duhet të mos ketë diskriminime, por as privilegje.

“Për neve është e rëndësishme që në këto procese të mos ketë asnjë lloj diskriminimi njëkohësisht nuk ka asnjë lloj privilegji dhe nuk ka njerëz të paprekshëm. Për neve është e rëndësishme që me u respektu kontrata e punës dhe rregullativa e brendshme. Rasti të trajtohet në mënyrë objektive… Për neve është e rendësishme që aktivizmi sindikal të jetë sa më i pranishëm sa më i lejum. Po njëkohësisht edhe punëtori me i kry punët e tyre… sepse nuk mundesh me u marrë vetëm me një punë, janë edhe detyrat e tjera”, tha Boletini.

Hoxha kishte kritikuar edhe Boletinin, si kryetar bordi, të cilin e kishte ekspozuar kur ky e kishte poentuar Hoxhën me 0 pikë aty ku tjerët e kishin poentuar me pikë, jo pak, por shumë më të larta, gjatë intervistimit për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së në një proces që KALLXO.com e kishte monitoruar dhe kishte gjetur shkelje. Një element tjetër në këtë historik është fakti që Hoxha ka kërkuar që Agjencioni Kundër Korrupsion (AKK), të përcaktojë se a mundet dikush që punon edhe për një organizatë mediatike, siç punon Boletini si hulumtues në “Çohu”, të punojë edhe në RTK. Boletini e ka konfirmuar për KALLXO.com më 18 dhjetor që është në dijeni për këtë kërkesë që është bërë në AKK dhe që deri më tash nuk ka pranuar ndonjë vendim. 

Gjatë mbledhjes së bordit, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka thënë se kur Hoxha kishte raportuar rastin në Policinë e Kosovës si kërcënim, ai nuk kishte qenë në dijeni se çfarë ishte duke ndodhur.

Sipas Ahmetxhekajt, Fetahu ka dërguar një email paralajmerues “te të gjithë që duhet të jenë në vendin e punës sepse në këtë sektor, orari është 8-4 ose 9-5. Ka dërgu email tek të gjithë ata që nuk kanë qenë aty, por pa masë ndëshkuese”.

“… fakti që kryetari i sindikatës ka ftu policinë për kërcënim është konstatu nga Fetahu që është në shkelje e kontratës së punës, rregulloreve të brendshme. Ky është interpretimi i tij. Fetahu ka qenë edhe në Polici edhe Policia ka thënë që është rast i mbyllur, nuk kemi të bëjmë me kërcënim në këtë rast. Zyrtarisht ende nuk kanë dërgu asgjë po ky është interpretimi çfare e kemi pas”- theksoi drejtori i RTK-së.

Ndonëse nuk kanë marrë konfirmim zyrtar, Ahmetxhekaj tha se rasti në polici është mbyllur.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Policisë së Kosovës më 17 dhjetor për të konfirmuar se a është mbyllur rasti, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Policia nuk ka kthyer përgjigje. 

Sipas Ahmetxhekajt, udhëheqësi i shërbimeve të përbashkëta, Alban Fetahu “ka konstatuar” që raportimi në Polici nga Fadil Hoxha është shkelje e kontratës së punës dhe rregulloreve të brendshme, andaj kishte filluar procedurë disiplinore e cila përfundoi me degradimin në pozitë të Hoxhës. 

Ahmetxhekaj nuk tha që procedura e disiplinimit është zhvilluar me Komision disiplinor, siç e parasheh ligji. 

Ahmetxhekaj po ashtu theksoi se degradimi i Hoxhës në pozitën “inxhiner” është bazuar në përgatitjen profesionale të tij.

“Degradimin e ka bazu edhe në përgatitjen profesionale të Hoxhës i cili ka kualifikim në fushën çfare ai e ka sistemu në pozitë”, tha Ahmetxhekaj.

Për të bërë punën e inxhinierit duhet të kesh kryer Elektron, por Hoxha e ka konfirmuar për KALLXO.com, që e ka të kryer Fakultetin Ekonomik, gjë që e bën të pakualifikuar për inxhinier. 

Ahmetxhekaj e konfirmoi që, degradimi që rezultoi jo në 1 por në 5 shkallë më të ulët,  zyrtarisht është klasifikuar si “shkelje e lehtë”.

“Menaxherja e administratës e ka menaxhu krejt procesin. Ka marrë deklaratë nga kryetari i sindikatës po ashtu nga shefi i shërbimeve të përbashkëta dhe nga dy koleget që punojnë në administratë dhe ka ardh në përfundim që kemi të bëjmë me shkelje të lehtë”, tha Ahmetxhekaj.

Nëse është “shkelje e lehtë”, degradimi 5 shkallësh në pozitë, sipas Ligjit të Punës, nuk bën pjesë në masë të lehtë. Por, asnjë anëtar i bordit në mbledhje nuk e ngritën çështjen e kësaj diskrepance. Gjithashtu, në bord nuk u ngrit çështja se si për një rast të tillë ku dy palë janë të përfshira në konflikt, menaxherës së administratës që është vartëse e njërës palë, e Fetahut, i besohet paanshmëria që t’i “intervistojë të dyja palët”. 

Kjo nuk u ngrit në mbledhje as nga anëtarët që kërkuan “paanshmëri në trajtimin e rastit” si Mehmeti dhe Qehaja.

Pas shpjegimit të Ahmexhekajt që bëri në mbledhjen e bordit të datës 16 dhjetor, anëtari tjetër i Bordit të RTK-së, Driton Hetemi tha:

“Ky rast është i rëndësishëm për neve sepse personi në fjalë nuk e përfaqëson thjesht pozicionin e tij po e përfaqëson një organizim sindikal. Nga kjo që e shpjegove tij nuk po duket që është ndërhyrje në aktivitet sindikal..”, tha Hetemi.

“Për mu më e rëndësishmja është që kjo qasje të aplikohet njëjtë për të gjithë. Sidomos për raste të tilla. Nëse kemi pas më herët raportime në Polici nga dikush tjetër, vonesa nga dikush tjetër, nëse ka hala njerëz që vonohen e nuk e dimë ku janë veç duhet me u siguru që a janë të gjithë të trajtuar njëjtë. Nuk po du me aludu a ka a nuk a, por me u siguru”, tha Hetemi.

Ndërsa Ahmetxhekaj u mundua ta bind bordin që, si drejtor i përgjithshëm i RTK-së, nuk ka ndikim në këtë proces. 

“Pavarësisht që disa beteja janë shndëdrru në personale në të kaluarën, asnjëherë si drejtor i përgjithshëm nuk kam marrë masa ndaj sindikatës. Para se ta kemi drejtorin e shërbimeve të përbashkëta i kam pas përgjegjësi të gjithë. Ju siguroj që zero është ndikimi im në këtë proces”- theksoi Ahmetxhekaj.

Sipas Ligjit të Punës, për degradime në pozitë, sistemime dhe masa ndëshkuese, duhet të krijohen komisione disiplinore në një institucion. Kjo nuk është bërë në RTK në rastin e Hoxhës. Gjithashtu, të shqiptuarit e “masës së lehtë” që rezulton në degradim për 5 pozita është jashtë praktikave të aplikimit të Ligjit të Punës. 

Ahmetxhekaj ka thënë se nëse Hoxha bën ankesë, komisioni nuk do të ketë në përbërje askënd nga menaxhmenti e as Alban Fetahun.

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka thënë se vendimin për degradim të Fadil Hoxhes nuk e ka marrë ai.

Përmes një reagimi me shkrim për KALLXO.com ai ka thënë se vendimi është marrë nga eprori i Hoxhës.

“Vendimi për degradim është marrë nga eprori i drejtpërdrejt i z. Hoxha, bazuar në nenin 11 të Rregullores për përgjegjësi materiale dhe diciplinore të RTK-së”, tha mes të tjerave Ahmetxhekaj.

Shënim: Artikulli është plotësuar në ora 17:56, me deklaratën e drejtorit të përgjitshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj pas publikimi të artikullit.