Scholz kërkon dinamikë të re në dialogun Kosovë-Serbi, Kurti insiston në dorëzimin e Radoiçiqit dhe grupit të tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media më 14.10.2024, pas përfundimit të Samitit të Berlinit ka folur lidhur me kërkesën e Kancelarit gjerman Olaf Schoz për një dinamikë të re në dialogun Kosovë – Serbi.

Kurti tha se Kosova edhe më tej insiston dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe grupit terrorist për sulmin në Banjskë të Zveçanit.

“Ne po presim Komisionin e ri europian që të filloj me dinamikë të re dhe për ketë arsye jemi optimist. Edhe më tej insistojmë që të dorëzohet kryekrimineli Millan Radoiçiq që na e vrau rreshterin Afrim Bunjaku, por edhe grupi i tij paramilitar i terroristëve që tashmë ndodhen në aktakuzën e Prokurorisë së shtetit në Kosovë”- ka thënë ai.

Tutje Kurti tha se kërkon që letra e ish kryeministres së Serbisë, Ana Bernabiq të tërhiqet.

Kryeministri tha se insiston që sa herë të përmendet dialogu të përmendet edhe Marrëveshja Bazike dhe Ankesi i zbatimit të marrëveshjeve të dakorduara në vitin 2023.

“Ne kërkojmë që ajo letra e ish kryeministres Bernabiq të tërhiqet, meqenëse me atë letër drejtuar 27- shes europiane, ajo është tërhequr nga marrëveshja duke thënë që nuk respekton integritetin territorial të Kosovës dhe ajo për të cilën jemi marrë vesh, Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i zbatimit të nënshkruhen, sepse nënshkrimi është garanci ligjore dhe dëshmi e palëkundur e vullnetit të mirë ndërmjet palëve. Ne insistojmë në ketë, dhe sa herë që flasim për dialog unë insistoj që të përmendet Marrëveshja Bazike. Pra, dialogu ka pasë sukses e suksesi quhet Marrëveshja Bazike me Aneksin e zbatimit. Neve na duhet ta zbatojmë me përpikeni atë marrëveshje”- ka thënë tutje ai.

Duke folur se sa po ndikojnë keq në bashkëpunimin rajonal konfliktet e së kaluarës, Kancelari gjerman Olaf Scholz përmendi rastin e dialogut Kosovë-Serbi.

Scholz tha se “dialogu për normalizimin midis Kosovës dhe Serbisë nuk po ecën kënaqshëm”.

“Kam theksuar për të dy partnerët se ata duhet të zbatojnë plotësisht zotimet e marra. Kjo është e rëndësishme për qytetarët dhe për të ardhmen e këtyre dy vendeve në Bashkimin Europian”- tha ai në konferencë për media pas përfundimit të Samitit të Procesit të Berlinit.

Scholz: Dialogu Kosovë-Serbi nuk po ecën kënaqshëm

Gjatë Samitit të Berlinit gjashtë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar, ndër të tjera, një plan të ri të veprimit për tregun e përbashkët rajonal (CRM) për periudhën 2025-2028, dhe një marrëveshje të re të mobilitetit, që mundëson qasje të barabartë për studentët e rajonit në institucione të akredituara të arsimit të lartë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se një shembull që dëshmon se kanë kontribuuar në lehtësimin e jetës së njerëzve në Ballkanin Perëndimor është Plani i Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal që sapo është nënshkruar.

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel. Para kësaj nisme, presidenti i atëhershëm i Këshillit Europian, Jean-Claude Juncker kishte shpallur ‘pauzë’ në zgjerimin e BE-së.Më pas, përmes Procesit të Berlinit ishte qëllimi që Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina duke rritur bashkëpunimin mes vete të bëjnë vend në institucionet e BE-së.