Samiti i Berlinit 2024, Foto: Albin Kurti - Twitter

Scholz: Dialogu Kosovë-Serbi nuk po ecën kënaqshëm

Duke folur se sa po ndikojnë keq në bashkëpunimin rajonal konfliktet e së kaluarës, kancelari gjerman Olaf Scholz përmendi rastin e dialogut Kosovë-Serbi.

Scholz tha se “dialogu për normalizimin midis Kosovës dhe Serbisë nuk po ecën kënaqshëm”.

“Kam theksuar për të dy partnerët se ata duhet të zbatojnë plotësisht zotimet e marra. Kjo është e rëndësishme për qytetarët dhe për të ardhmen e këtyre dy vendeve në Bashkimin Europian”- tha ai në konferencë për media pas përfundimit të Samitit të Procesit të Berlinit.

Kancelari gjerman tha se edhe shtetet e tjera vazhdojmë ta vërejnë një retorikë nacionaliste dhe përçarëse.

Sipas tij, kjo përbën një rrezik për kohezionin dhe bashkëjetesën paqësore në prosperitet.

“Është e qartë: Vetëm së bashku këto shtete mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Prandaj, marrëdhëniet rajonale dhe fqinjësore të mira që të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë theksuar sot janë shumë të rëndësishme”- tha ai.

Scholz tha se si Gjermani kanë nënvizuar angazhimin e tyre drejt pajtimit dhe zgjidhjes së konflikteve me bazë në partneritet.

Qëllimi i Procesit të Berlinit është që shtetet e Ballkanit Perëndimor të përafrohen me shtetet e BE-së në mënyrë që të sigurojnë vendin në Bashkimin Europian.

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Para kësaj nisme, presidenti i atëhershëm i Këshillit Europian, Jean-Claude Juncker kishte shpallur ‘pauzë’ në zgjerimin e BE-së.

Më pas, përmes Procesit të Berlinit ishte qëllimi që Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina duke rritur bashkëpunimin mes vete të bëjnë vend në institucionet e BE-së.

Marrëveshja për heqjen graduale të tarifave për telefoninë mobile dhe internetin kishte hyrë në fuqi në vitin 2023, që ishte një nga marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit.

Me kalimin e viteve, Procesi i Berlinit u zgjerua dhe prej atëherë mbahen samite të përvjetshme. Përjashtim bëri viti 2021 që për shkak të pandemisë, Samiti u mbajt në një formë të adaptuar në mënyrë virtuale, por pa takime midis liderëve të shteteve.

Procesi i Berlinit tanimë ka dhjetë vende partnere: Austrinë, Bullgarinë, Kroacinë, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Poloninë, Slloveninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Bërthama e Procesit të Berlinit është “Agjenda e Lidhshmërisë”, që ka të bëjë me rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.