Rrëfimi i nënës për momentin kur e ka kuptuar se djali i saj është gay

Njëra nga pjesëmarrëset e “Paradës së Krenarisë” sot ka qenë edhe Shemsije Musa-Çerkini.

Ajo gjatë kësaj parade ka mbajtur një fjalim.

Musa-Çerkini ka thënë se para të pranishmëve tjerë qëndron si një nënë krenare e djalit të saj gay.

Shemsije Musa-Çerkini në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë ka dalë sot në paradë për ta mbrojtur fëmijën e saj.

Ajo thotë se që prindërit duhet me qenë krenarë që kanë fëmijë, çfarëdo qofshin ata.

“Unë sot isha në paradë për ta mbrojtur fëmijën tim dhe për t’u dhënë përkrahje të gjithë fëmijëve që nuk e marrin prej prindërve të vet.  Kam dashtë thjesht me përçu një mesazh që prindërit duhet me qenë krenarë që kanë fëmijë çfarëdo qofshin ata, qysh ata ndihen rehat në lëkuren e vet pa i paragjykuar”, ka thënë ajo.

Tutje Musa-Çerkini ka folur për kohën kur e ka kuptuar se djali i saj është gay. Ajo thotë se e ka përkrahur dhe pranuar djalin e saj dhe se ai nuk përben rrezik për askënd.

“Secili prind e njeh fëmijën e vet dhe e kupton. Djali e ka shpreh shumë herët atë. Në fillim as unë nuk kam dashtë me kuptu, kam thanë ndryshon me kohë. Atëherë shumë haptas e kam pyet, çfarë përcaktimi ki, qysh po ndihesh në lëkurën tënde, e ka pranu edhe ai, nuk e ka mshef. E kam përkrah dhe e kam pranu prej fillimit. Nuk përben diçka rrezik as për familjen as për askënd. Nuk kam mujtë me lanë në rrugë”, ka thënë ajo.

Musa-Çerkini ka shtuar se ndonëse djali i saj e ka edhe përkrahjen e familjes, ai ka kaluar shumë vështirësi kur ka dalë në rrugë lirshëm dhe me vepru qysh dëshiron ai.

“Më gjithë përkrahjen tonë në familje, ka kaluar shumë vështirësi, në periudhën e fundit ka qenë shumë keq. Kjo më ka bë që me dal publikisht me pranu. Duhet me qenë të vetëdijshëm ata prindër se çfarë kalojnë këta fëmijë. Nuk ka qenë problem brenda familjes por ka qenë me dalë në rrugë, me frymu lirshëm, me u vesh qysh ky don, qysh ky ndihet”, ka thënë ajo.

Fjalimi i nënës në Paradën e Krenarisë: Evladi është bujashka e prindit

Sot në Prishtinëë shtë mbajtur “Parada e Krenarisë”. Qytetarë, aktivistë, deputetë të Kosovës e ambasadorë të vendeve të huaja kanë bërë thirrje që personat e komunitetit LGBTQI+ të pranohen për orientimin e tyre seksual.

Slogani i paradës për këtë vit ka qenë “EDHE N’SHTET, EDHE N’FAMILJE”, që ka synuar të pasqyrojë praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, ashtu edhe në familje.