Fjalimi i nënës në Paradën e Krenarisë: Evladi është bujashka e prindit

 

Njëra nga pjesëmarrëset e Paradës së Krenarisë sot ka qenë edhe Shemsie Musa Çerkini.

Ajo gjatë kësaj parade ka mbajtur një fjalim.

Musa Çerkini ka thënë se para të pranishmëve tjerë qëndron si një nënë krenare e djalit të saj gay.

“Evladi është bujashka e prindit. Rehati e evladi është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër në këtë botë. Jam krenare që është ai çka është”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka thënë se sa herë që kalon kohë me personat LGBTI+ e mbushin me jetë atë, duke shtuar se ndihet rehat kur është pranë tyre, por se i dhemb zemra kur i tregojnë se si ata trajtohen.

“Nëse e keni vështirë me e kuptu botën e tyre s’ka gajle, por kjo nuk do të thotë me ua bë jetën më të vështirë atyre”, ka thënë tutje ajo.

“Ka ardh koha me hapë mendjen dhe zemrën, ka ardh koha me vendos secila për vetën, ka ardh koha që ekzistenca e gjithkujt është baraz me gjithë secili”, ka vazhduar e njëjta.

Sipas kësaj nëne, Kosova ka dështuar si shtet në trajtimin e komunitetit LGBTI+ si njerëz.

“Ata gjithmonë janë kanë mes neve, janë dhe kanë me kanë gjithmonë. Nëna si unë ka plotë, nëse familja nuk ju pranon dijeni që e keni familjen më të madhe që ju do pa kushte. Dije që meritoni dashuri, njohje dhe respekt”, tha ndër të tjera Musa Çerkini.

Pjesëmarrës në këtë paradë ka qenë edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier.

Hovenier ka thënë se pjesëmarrja e tij është me qëllim që të tregohet mbështetja për komunitetin LGBTI+.

“Jemi këtu për të treguar mbështetjen për komunitetin LGBTI, sepse mendojmë që këto janë të drejta të njeriut”, ka thënë ai duke shtuar se shpreson që sot ai nuk do të jetë storja e ditës, por do të jenë pjesëmarrësit e tjerë.

Java e Krenarisë ka filluar më 6 qershor dhe do të përfundojë sot.

Në njoftim për këtë tubim është thënë se do të fillohet në orën 11:00 në Sheshin “Skënderbeu”.

Më pas, në orën 12:00 është planifikuar të fillojë ecja drejt Katedrales dhe të përfundojë tek platoja e Pallatit të Rinisë me një fjalim që adreson mesazhin e Javës së Krenarisë për këtë vit.

“Parada do të përmbyllet më një koncert”, është thënë ndër të tjera në njoftim.

Në edicionin e saj të 6-të , “Java e Krenarisë”, nëpërmjet sloganit “EDHE N’SHTET, EDHE N’FAMILJE” synon të pasqyrojë praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, ashtu edhe në familje.

Në anën tjetër, gjatë ditës njësiti me qen i Policisë së Kosovës, K-9 ka kontrolluar sheshin në Prishtinë para fillimit të mbajtës së Paradës së Krenarisë.