Rizvanolli i kërkon ZRRE-së të mos shtrenjtohet rryma për ata që shpenzojnë më pak se 800 kWh në muaj

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, më 07.04.2025 ka bërë të ditur se i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të mos rritet çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kWh në muaj.

Ndërsa, për pjesën tjetër të konsumatorëve, Rizvanolli thotë se Ministria e Ekonomisë ka propozuar që konsumatorët të ndahen në sa më shumë kategori.

“Në lidhje me tarifat e energjisë elektrike, ne i kemi propozuar ZRrE-së të mos ketë fare rritje për konsumatorët të cilët konsumojnë deri në 800 kWh në muaj, ndërsa për të tjerët rritja të jetë sa më e ulët dhe ata konsumatorë të ndahen në sa më shumë kategori ose blloqe. Të mos trajtohet njëjtë për shembull, sikur dikush që shpenzon 1000 kWh në muaj, si dikush që shpenzon 3.000 kWh në muaj”- ka thënë ajo përmes një video-mesazhi në Facebook.

Sipas saj, në këtë mënyrë, mbrohen familjet sa më shumë që të jetë e mundur, pa e cenuar sigurinë e furnizimit dhe veçanërisht mbrohen ata të cilët kanë nevojë më së shumti.

Petrit Pepaj nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në një deklaratë në “Kallxo Përnime” më 14.03.2025 kishte deklaruar se rritja e çmimit të rrymës nuk mund të shmanget për dy arsye.

“Rritja është e pashmangshme për shkak të kostove që kanë ndodhë. Përafërsisht 15% pritet me u rritë” – ka deklaruar Pepaj.

“Janë dy shkaktarë kryesorë që e kanë pru këtë kosto: është mungesa e gjenerimit që ka qenë në vend; edhe në burime të ripërtëritshme që ka pasur në vend ka pasur mungesë të gjenerimit, edhe çmimet e importit. Këto e kanë shkaktuar rritjen e çmimit” – ka thënë ai.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike është kundërshtuar nga shoqëria civile në Kosovë, si nisma “Asnjë cent më shumë”, partitë politike si LDK, AAK dhe PDK.

Po ashtu, edhe Presidenca e Kosovës më 28.03.2025 përmes një komunikate për media, ka kundërshtuar propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, nën arsyetimin se ky propozim është në kundërshtim me kornizën ligjore që e obligon Zyrën e Rregullatorit Ekonomik (ZRRE) të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend.

Të shtunën e 05.04.2025 u mbajt një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Protesta, e thirrur nga iniciatiava qytetare “Asnji cent ma shumë”, ka mbledhur një numër të madh qytetarësh.