Rinisin punimet në rrugën 'A' në kryeqytet

Sot kanë rinisur punimet në rrugën “A” në kryeqytet, pasi u kthye në rigjykim vendimi për pezullimin e punimeve në këtë projekt.

Kështu ka njoftuar kryetari i partisë që udhëheq me Prishtinën, Lumir Abdixhiku, LDK.

Sipas Abdixhikut, vendimet e urdhëresave politike s’mund të përfundojnë ndryshe.

“Shkalla e dytë e Gjykatës Komericiale rrëzoi vendimin skandaloz të gjykatëses familjare. E rrëzoi sepse ishte joprofesional; e rrëzoi sepse ishte shkelje e rëndë. Vendimet e urdhëresave politike s’mund të përfundojnë ndryshe. Popullistët, me gjithë mllefin e urrejtjen që bartin për punën e tjetrit na humbën veçse kohë. Do të duhej të kishin brenga tjera, do të duhej të kishin qëllime të tjera; sepse vendi ka nevoja plot. Ne vazhdojmë; ekipit të Kryeqyteti u themi puna e mbarë ju qoftë; e qytetarët e Prishtinës megjithatë nuk do të harrojnë!”- ka shkruar kryetari i LDK-së në “Facebook”.

Gjykata Komerciale më 20 tetor, pezulloi punimet për këtë rrugë në kryeqytet.

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama ka hedhur akuza ndaj gjyqtares së rastit, Vlora Pacolli, që sipas tij është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit.

Gjykata Komerciale përmes një reagimi ka shprehur shqetësimin e saj për deklarimet e zyrtarëve shtetërorë lidhur këtë vendim dhe ka thënë se është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore duke mos paragjykuar ato.

Kompania e kontraktuar për kryerjen e punëve në rrugën “Jim Xhema”, “Sallahu Shpk” me pronar Lulzim Sallahun, sipas Certifikatës së lëshuar nga Gjykata, nuk ka asnjë dënim dhe është plotësisht i përgjegjshëm sipas Ligjit të Prokurimit Publik.

Më 20 nëntor, Gjykata e ka aprovuar ankesën e palës ankimuese dhe palëve të interesuara dhe ka vendosur që lënda në fjalë t’i kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje dhomës së shkallës së parë të Gjykatës Komerciale.

Dhomat e shkallës së dytë kanë vlerësuar se aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë ngase përmban shkelje thelbësore të Ligjit për konfliktet administrative.