Foto: KOSTT

Rikthehet furnizimi me energji elektrike në zonën e Prishtinës që kishte mbetur pa rrymë

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka njoftuar se pas një pune intensive të të gjitha ekipeve, në ora 19:03 është rikthyer furnizimi me energjie elektrike në një zonë të Prishtinës që kishte mbetur pa të.

KOSTT tha se kanë kthyer në operim transformatori TR2 në Nënstacionin 110/10 kV Prishtina 3 dhe është stabilizuar furnizimin me energji elektrike për qytetarët e afektuar.

“Për shkak të një avarie të madhe të ndodhur me datë 03.04.2024, ekipet e KOSTT kanë bërë një improvizim të përkohshëm që ka mundësuar energjizimin e nënstacionit” – u tha në njoftim.

Tutje u treguar se mbi 50 punonjës janë angazhuar në përpjekjet për rikthimin e furnizimit me energji elektrike nga Nënstacioni Prishtina 3 dhe u shtua se kontributi i tyre ka qenë jetik për arritjen e suksesit në stabilizimin e situatës.

KOSTT falënderoi ekipet e reaguesve të parë, pra zjarrfikësit, Policinë e Kosovës, agjencitë emergjente dhe në veçanti falënderoi ekipet teknike profesionale të mirëmbajtjes për përkushtimin dhe punën e palodhshme.

“Pas rikthimit të furnizimit, KOSTT do të punoj ngushtë me të gjitha institucionet relevante dhe akterët e nevojshëm për të vlerësuar dëmet e shkaktuara dhe për të identifikuar shkaqet që kanë shkaktuar avarinë” – thuhet në vazhdim të njoftimit të këtij operatori.

Gjithashtu u shtua se KOSTT mbetet plotësisht i përkushtuar në shërbim të qytetarëve, duke vazhduar të punojë pa rreshtur për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për të gjithë.

KOSTT kërkoi edhe mirëkuptim nga qytetarët, institucionet dhe bizneset e afektuara nga mungesa e energjisë elektrike.