21 prilli caktohet si data e votimit për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri

Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar datën 21.04.2024 për votimin e largimit të katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit në fillim të 2024, nënshkruajtën peticione për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj ka prezantuar të premten (08.03.2024) numrin e qytetarëve të cilat kanë nënshkruar këto peticione.

Në Komunën e Leposaviqit 2 mijë e 905 qytetarë të Kosovës me të drejtë vote kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit që përbënë 20% të popullsisë me të drejtë vote në këtë komunë.

“Nga komuna e Leposaviqit, lista përmban 3 mijë e 30 nënshkrime, rezulton se 2 mijë e 905 nënshkrues janë qytetarë të Kosovës, këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind për këtë komunë”- ka thënë Ahmetaj.

Në Zubin Potok, 1 mijë e 380 qytetarë të kësaj komune me të drejtë vote kanë nënshkruar për shkarkimin e kryetarit: në Zveçan 1 mijë e 1714 dhe në Mitrovicën e Veriut 3 mijë e 653.

“Në Zubin Potok, lista përmban, 1 mijë e 576 nënshkrime nga të cilat 1 mijë e 380 janë qytetarë të Kosovës, këta përbëjnë 20 për qind të votuesve. 1 mijë e 834 nënshkrime janë në Zveçan, prej tyre 1 mijë e 714 nënshkrues janë qytetarë të Kosovës, këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind. Në Mitrovicë të Veriut janë gjithsej 4 mijë e 148 nënshkrime prej tyre 3 mijë e 653 nënshkrues janë qytetarë të Kosovës më të drejtë vote. Këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind të votuesve të kërkuar në peticion” – tha ai.

Lajm në zhvillim – Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të Zubin Potokut dhe Zveçanit – Pamje