Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog Foto: KALLXO.com

Szunyog mirëpret vendimin e KQZ-së për caktimin e datës së votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka mirëpritur vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor për votimin e largimit të katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Szunyog ka thënë se BE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje përgjatë këtij procesi.

“E vlerësoj vendimin e KQZ-së, që përmes procesit të verifikimit të nënshkrimeve u caktua votimi për shkarkimin e kryetarëve. Tashmë është thelbësore që KQZ të bëjë përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të qetë dhe për të krijuar kushte për votim të lirë dhe të ndershëm. BE-ja është e gatshme që të ofrojë mbështetjen përgjatë këtij procesi”- ka shkruar ambasadori në platformën X.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar datën 21.04.2024 për votimin e largimit të katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit në fillim të 2024, nënshkruajtën peticione për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.

21 prilli caktohet si data e votimit për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri