I akuzuari Ekrem Bajroviq - Seanca 04.03.2024 - Foto: Jetlira Buzhala/KALLXO.com

"Pijshin raki e birra e na thejshin shishet për krye" - Rrëfimi i dëshmitarit në gjykimin e Ekrem Bajroviqit për krime lufte

“Jam kanë me gruan dhe me fëmijën e vogël që nuk i ka pasë as 2 vjet. M’i kanë lypë dokumentet. Ia kam dhanë. Ka thanë: “Dil prej kerrit!” Kam dalë. E kam çelë gepekun. Unë nisa me folë në gjuhën shqipe. Ai tha: “Nuk është këtu Shqipëri, këtu është Serbi. Nuk mundesh me folë shqip!”. Dhe më ka ra grusht në fytyrë”.

Kështu F.G. e nisi dëshminë e tij në Gjykatën e Prishtinës në gjykimin e Ekrem Bajroviqit, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në vitet 1998-1999, në Istog dhe në fshatrat përreth.

Në seancën e së hënës më 04.03.2024 dëshmitari rrëfeu se në muajin shkurt të vitit 1999 ishte ndalur nga i akuzuari Ekrem Bajroviq, atëkohë pjesë e forcave serbe dhe nga ai kishte pësuar dhunë. Pasojat shëndetësore të dhunës së asaj kohe dëshmitari tha se po i vuan edhe sot.

“Kam medikamente pa të cilat nuk mund të qëndroj pa i përdorë. Nuk guxoj asnjë ditë mos me i përdorë. M’ka goditë ashpër, nuk e prita atë goditje. Dy dhëmbë të thymë i kam” – tha ai para Gjykatës.

Në mesin e personave që e kishte ndaluar atë dëshmitari tha se me Ekrem Bajroviqin kanë qenë edhe 3 persona të tjerë me emrat Vesku, Sadrija dhe Vlladko. Për këtë të fundit tha se ka qëndruar brenda veturës dhe nuk ka dalë nga vetura.

“Gurakoci ka qenë post-blloku më i rrezikshëm, më i ashpri. Sot ankohen gjinja për atëherë çfarë sjellje kanë pasë ndaj shqiptarëve. Aty e di se kanë rreh kush ka kalu andej. Aty u kanë e pamundshme edhe këmbësorët pa u rreh, edhe në kambë i kanë ndalu njerëzit” – tha dëshmitari.

Ai për të akuzuarin tha se e njeh shumë mirë, duke shtuar se e njeh edhe prindin e të akuzuarit për të cilin tha se ka qenë shofer i autobusit.

Lidhur me raportet më herët para ngjarjes kritike, dëshmitari tha se nuk kishte pasur problem me të akuzuarin Bajroviq, kurse pas lufte nuk e ka takuar më asnjëherë.

Dëshmitari i sotëm rrëfeu edhe për disa pjesë nga përjetimet e tij sa ishte i burgosur në burgun e Leskovcit dhe rrugës në autobus.

“Kam shumë përjetime gjatë luftës. E kanë ngreh zhag njerin memec prej autobusit. Drejtori i burgut na ka shti me dhanë deklaratë që është vra prej policëve të Kosovës. Pijshin raki e birra në autobus e na thejshin për krye shishet” – shtoi dëshmitari në rrëfimin e tij.

Me vendim të gjyqtarit Mentor Bajraktari, identiteti i dëshmitarit është kufizuar për media duke shpalosur vetëm inicialet e tij, për shkak se i njëjti siç njoftoi prokurori special, Ilir Morina, ai do të jetë dëshmitar edhe te një rast tjetër i krimeve të luftës.

Për këtë rast më 26.01.2024 ishin dëgjuar dëshmitarët e Prokurorisë Azem TuziSami Shalaj.

Në cilësinë e dëshmitarit ishte dëgjuar edhe i mbijetuari nga vrasjet të cilat janë objekt i aktakuzës, Naim Elshani, i cili kishte rrëfyer për ngjarjen kritike.

Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga gjyqtarët Mentor Bajraktari, Arben Hoti dhe Kujtim Krasniqi.

Çka thotë dosja e Prokurorisë për Ekrem Bajroviqin?

Sipas aktakuzës, gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, në Istog dhe në fshatrat përreth, Bajroviq ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.

Këto veprime akuzohet t’i ketë kryer si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe në mënyrë individuale si dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë.

Aktakuza thotë se në fshatin Staradan më 8 maj të vitit 1999 kolona e popullsisë civile që po shkonte në drejtim të Shqipërisë ishte ndalur nga këto forca policore dhe ushtarake serbe, pjesë e të cilave ishte edhe Bajroviq, me ç’rast ishin ndarë djemtë e burrat nga pjesa tjetër e grupit.

Fillimisht atyre u ishin marrë paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e më pas ishin vendosur në oborrin e shtëpisë së një personi ku ishin renditur me radhë, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, me ç’rast forcat serbe i kishin sulmuar fizikisht dhe rrahur me mjete të ndryshme, thuhet në aktakuzë.

Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe u ishin drejtuar me fjalët: “Ku e keni NATO-n?” e “Ku e keni UÇK-në?”.

Aktakuza thotë se më pas ishin dërguar në një shtëpi, në të cilën kishin pushkatuar së paku 16 prej civilëve shqiptarë. Vetëm një prej tyre kishte mbijetuar, ndonëse i plagosur.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 maj të vitit 1999 kishte marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët fillimisht i kishin ndarë nga kolona dhe i kishin marrë të gjitha paratë e sendet me vlerë.

Më pas këta persona i kishin dërguar në Gurrakoc, në një lokal, në të cilin i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore e më pas i kishin transferuar në stacionin policor në Gurrakoc.

Sipas aktakuzës, kolonës i ka prirë i akuzuari Ekrem Bajroviq, i cili kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut një person në anën e djathtë nën brinjë.

Kurse më pas, sipas aktakuzës, pas vendosjes së civilëve në stacion policor, i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore, dhunë psikike, duke i kanosur për jetë. Më tej në aktakuzë thuhet se përveç lëndimeve të rënda trupore u janë shkaktuar trauma dhe pasoja në shëndet.

Sipas aktakuzës, këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore si dhe Konventës Ndërkombëtare të Gjenevës.

Aktakuzën po e përfaqëson prokurori special Ilir Morina.