Prokuroria, Foto: KALLXO.com

Prokurori i Shtetit ngritë aktakuzë ndaj një zyrtari policor dhe gjashtë personave të tjerë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj një zyrtari policor nën dyshimin se i njëjti ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Sipas njoftimit më 04.03.2024, aktakuza është ngritur edhe ndaj gjatë personave të tjerë nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria njofton se zyrtari policor ndaj të cilit është ngritë aktakuzë është S.N., i njëjti nga organi i hetimit po dyshohet se keqpërdori detyrën zyrtare duke ndikuar në një rast në të cilin ishte i përfshirë me detyrë zyrtare.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri S.N., në cilësinë e personit zyrtar, i caktuar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, me dashje dhe dijeni e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i krijuar favore personit tjetër në atë mënyrë që gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, i pandehuri në kundërshtim me detyrat e tija zyrtare, kishte komunikuar përmes telefonit dhe pa autorizim, me avokatin e të dyshuarit-tani i ndjerë” – thuhet në njoftim.

“Më pas duke i mundësuar të takohej dhe të ketë kontakte me familjarët e tij e me persona të tjerë, si dhe duke kërkuar edhe nga zyrtarët e tjerë policorë që ishin në zbatim të vendimit të prokurorit të shtetit mbi ndalimin e të dyshuarit-tani i ndjeri, që t’ia mundësonin kontaktet me familjarët dhe personat e tjerë, kështu duke vazhduar edhe me pengimin e zbatimit të masës së paraburgimit” – vijon njoftimi.

Për zyrtarin policor, S.N., Prokuroria ka propozuar që t’i ndalohet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike

Në njoftim, Prokuroria e Prishtinës ka dhënë detaje edhe për gjashtë personat e tjerë të cilat po ngarkohen me dy vepra penale.

“Të pandehurit Rr.K., V.B., Q.Th., Y.K., dhe G.M., në vazhdimësi e deri më 07.09.2023, në vende të ndryshme të Prishtinës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo tjetrin, kanë organizuar, ndihmuar dhe marrë pjesë në lojëra të fatit-bastore, përmes një faqes së internetit dhe përdorimit të telefonave të mençur” – thuhet në njoftim.

“Ndërsa, të pandehurve Rr.K. dhe G.H., pas zbatimit të urdhëresës së lëshuar nga gjykata për kontroll u janë gjetur në posedim armë pa autorizim nga organi kompetent” – përfundon njoftimi.

Në bazë të nenit 269 dhe 276 të KPPRK-së, sendet e sekuestruara me urdhrin ndalues përfundimtar të gjykatës të konfiskohen dhe të procedohen sipas procedurave të parapara ligjore, duke përfshirë edhe konfiskimin e shumës prej 3390€ e krijuar si rezultat i kryerjes së veprës penale.