Shpallen fajtorë dy të akuzuar në rastin 'Subvencionet 4'
Halil Berisha dhe Gjon Musolli janë shpallur fajtor për dhënie ryshfeti dhe mashtrim me subvencione në rastin e njohur si “Subvencionet 4”.
Të njëjtit u shpallën fajtor në seancën e së premtes më datë 16.02.2024, pasi e kishin pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar.
Ky rast u gjykua nga gjyqtari i departamentit special të gjykatës së Prishtinës, Mentor Bajraktari.
Me rastin e shpalljes, gjykata bëri të ditur se për matjen e dënimit ka caktuar seancë të posaçme ku do të ftohen edhe zyrtarët e Shërbimit Sprovues të Kosovës për të përpiluar dhe elaboruar raportin parandëshkimor.
Seanca e tillë u caktua të mbahet me datë 13.03.2024.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale janë të përfshirë edhe Hasan Maxharraj, Lulzim Hajdaraj, Berat Nika, Luan Statovci, Sedat Shkodra, Musa Nivokazi, Bajram Gashi dhe Pajtim Krasniqi por që të njëjtit nuk e kishin pranuar fajësinë.
Halil Berisha akuzohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të subvencioneve në mënyrë të tërthortë përmes të akuzuarit Pajtim Krasniqi, i jep ryshfet të akuzuarve Luan Statovci dhe Berat Nika.
Sipas aktakuzës të akuzuarit Luan Statovci dhe Berat Nika kanë qenë në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. E tërë kjo, aktakuza thotë të ketë ndodhur në periudhën kohore 03.02.2021 deri në datën 10.02.2021.
Sipas aktakuzës i akuzuari Halil Berisha dhe Pajtim Krasniqi paraprakisht kanë arritur marrëveshje që të aplikojnë në mënyrë të kundërligjshme me të dhëna të pasakta në të kërkesës për përfitim të subvencioneve në emër të Shpejtim Krasniqit.
Aktakuza thotë që përfitimi të ndahet përgjysmë ku i akuzuari Berisha i jep të akuzuarit Pajtim Krasniqi shumën prej 500 euro me qëllim që ajo shumë të i jepet si ryshfet inspektorëve.
Pasi që të aprovohen pagesat, aktakuza thotë se Krasniqi tërhoqi 7 mijë euro nga llogaria bankare e Shpejtim Krasniqit dhe i dorëzon 6 mijë euro Halit Berishës e 1 mijë i mban për vete.
Tutje, dosja e Prokurorisë thotë se i akuzuari Gjon Musolli në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshme i jep ryshfet të akuzuarit Hasan Maxharraj i cili ka qenë zyrtar për Zhvillimin e Bujqësisë në Drejtorinë për Bujqësi në Istog.
Sipas dosjes kjo ka ndodhur për një periudhë kohore prej gjashtë muajsh, konkretisht nga data 25.08.2020 deri në 02.02.2021.
Sipas aktakuzës Gjon Musolli me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të subvencioneve ka aplikuar për këtë procedurë me të dhënat e një familjari të tij.
Pasi i akuzuari Hasan Maxharraj kishte lënë vërejtje për këtë, aktakuza thotë se i njëjti ka kërkuar ryshfet e më pas Gjon Musollaj pranon paratë e subvencionit, pasi dorëzoi 8 mijë euro ryshfet të ndarë në dy pagesa.
Aktakuza e ngarkon me veprime të ngjashme edhe në instanca të tjera.
Kështu, Gjon Musolli akuzohet që duke përdorur të dhënat personale të një familjari aplikon për përfitim të subvencionit, me ç’rast zyrtari përgjegjës, i akuzuari Hasan Maxharraj paraqet vërejtje në aplikim.
Sipas aktakuzës, për të rregulluar këtë çështje, Maxharraj kërkon ryshfet në vlerë prej 7 mijë euro, shumë të cilën pajtohet i akuzuari Gjon Musolli, e më pas i njëjti pranon paratë e subvencionit.
Për veprime të ngjashme dosja e Prokurorisë e akuzon Gjon Musollin edhe me dy dispozitivët në vazhdim.
Ndërkaq, pika 10 e dispozitivit, Gjon Musollin e akuzon se më datë 06.10.2020 i ka dhënë 500 euro ryshfet inspektorit, të akuzuarit Musa Nivokazi, që në cilësi të personit zyrtar të hartojë një raport të rrejshëm.
Lidhur me këtë, aktakuza thotë se Musolli i ka dhënë 2 mijë euro ryshfet të akuzuarit Hasan Maxharraj që të ndikojë tek zyrtarët e Agjencisë për Zhvillim e Bujqësi që t’i aprovohet aplikimi për subvencione.
Kjo sipas dosjes kishte ndodhur në periudhën prej 19.10.2020 deri me 15.02.2021.
Kurse, për periudhën kohore nga 21.08.2020 deri me 02.02.2021, aktakuza e ngarkon Gjon Musollin se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore ka bërë mashtrim me subvencione në mënyrë të vazhdueshme.
Sipas aktakuzës këtë e kishte bërë duke paraqitur të dhëna të pasakta gjatë aplikimit për përfitimin e subvencioneve nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë.
Për veprën penale mashtrim me subvencione akuzohet edhe i akuzuari Halit Berisha.