Njëri i akuzuar jashtë shtetit, dështon seanca në rastin 'Subvencionet 1'
Në mungesë të të akuzuarit Lulzim Hajdaraj, ka dështuar të mbahet gjykimi për rasitn e njohur si “Subvencionet 1”. Në këtë rast të akuzuar janë edhe Luan Statovci, Sedat Shkodra, Sali Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Musa Nikovasi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj, të cilët ishin prezent në sallë.
Mungesën e Hajdarajt e kishte paralajmëruar mbrojtësi tij, Xhemajl Ademaj përmes një parashtrese ku kishte treguar se i akuzuari gjendet jashtë vendit, avokati kërkoi që të shtyhet seanca.
Këtë propozim të mbrojtësit, e kundërshtoi prokurori i Prokurorisë Speciale, Rafet Halimi, i cili kërkoi që të veçohet lënda ndaj të akuzuarit i cili mungoi. Mbrojtësit e të akuzuarve kundërshtuan veçimin e procedurës për të.
Gjykata vendosi që mos të veçoj procedurën për të akuzuarin, kështu që në mungesë të të akuzuarit nuk u përmbushën kushtet ligjore për të vazhduar me gjykim.
Në këtë rast i akuzuar është edhe Sali Kelmendi, por ndaj tij lënda është veçuar.
Seanca e radhës për këtë rast, nga gjyqtari Kujtim Krasniqi – kryetar i trupit gjykues, Valon Kurtaj dhe Lutfi Shala – anëtarë, u caktua të mbahet në shkurt të vitit 2024.
Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj 15 personave, rast i titulluar si “Subvencionet 2”. Ku për vepra të ngjashme penale, është duke u zhvilluar një proces gjyqësor ndaj disa personave ku ky rast është etiketuar si “ Subvencionet 3”.
Prokuroria ka bërë një njoftim gjatë ditës së djeshme, ku tashmë ka aktakuzë edhe ndaj disa personave rast i cili tashmë do të njihet si “Subvencionet IV”.
Ata po akuzohen për vepra të njëjta, marrje e dhënie ryshfeti, detyrim, keqpërdorim të detyrës zyrtare e të tjera.
KALLXO.com kishte siguruar aktakuzën e Prokurorisë Speciale lidhur me rastin e “Subvencionet 1”, e cila është ngritur nga prokurori Rafet Halimi, ku përshkruhet se mbi gjysmë milion euro subvencione ishin dhënë për mbjelljen e bimëve mjekësore e cila në realitet nuk kishte ekzistuar.
Përmes aktakuzës Prokuroria pretendon se ka zbuluar afera të shumta korruptive me subvencione në të cilat ishin të përfshirë zyrtarë të shumtë të Agjencisë së Bujqësisë.
Sipas këtij organi, skema e korrupsionit ishte ndërtuar në atë formë që aplikuesit që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së, udhëzoheshin që të aplikonin për mbjelljen e bimëve mjekësore aromatike nga ku më pas vlera e subvencionit të fituar ndahej në mes tyre në përqindje të ndryshme të cilat shkonin deri në 70% për zyrtarët e AZHB-së.
Skema e përshkruar në aktakuzë tregon se aplikuesve që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së u siguroheshin në mënyrë të kundërligjshme certifikatat për bujqësi organike të cilat ishin si parakusht i përfitimit të subvencionit.
Aktakuza përshkruan se Luan Statovci, drejtor i pagesave në AZHB, qasej në lëndët e aplikuesve dhe fotografonte dokumentacionet e tyre e të cilat më pas i dërgonte përmes telefonit te vëllai i tij, Salih Statovci. Ky i fundit këto fotografi, sipas Prokurorisë, i dërgonte tek A. A., i cili në cilësinë e drejtorit të “Bio-Q-Check” lëshonte në mënyrë të kundërligjshme certifikata për bujqësi organike pa pasur ndonjë kontroll paraprak.
E gjithë kjo procedurë sipas organit ndjekës ndodhte pasi aplikuesit hynin në marrëveshje dhe bindeshin që t’i ndryshonin aplikacionet për subvencionimin e kulturave të tjera në aplikacionet për subvencionimin e mbjelljes së bimëve mjekësore.
Në këtë mënyrë ata akuzohen se u kanë mundësuar aplikuesve përfitim të kundërligjshëm dhe kanë dëmtuar mbi gjysmë milion euro buxhetin e vendit.
Sipas dosjes së prokurorisë të pandehurit Jeton Sylaj, Luan Statovci dhe Hasan Maxharraj, ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i autoritetit zyrtar”, kurse mbi Maxharrajn rëndon edhe akuza për “Mashtrim me subvencione”.
Mbi të pandehurin Luan Statovci rëndojnë edhe akuzat për “Marrje Ryshfeti“ në bashkëkryerje me Sadat Shkodrën, kurse Florim Nimonaj ngarkohet me “Dhënie ryshfeti”.
Për veprën “Falsifikim i Dokumenteve” ngarkohen të pandehurit Almir Abdurramani dhe Salih Statovci.
Raportimet e ngjashme nga KALLXO.com – LINK