FOTO: KALLXO.com

Rasti i çerdhes në Fushë Kosovë, deklarohet Policia

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur një hetim preliminar lidhur me ngjarjen në të cilën dyshohet se në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovës është ushtruar dhunë ndaj një 3-vjeçari.

Policia thekson se hetimi ka nisur pas publikimeve të pamjeve me anë të të cilave pretendohet se ka pasur sjellje të papërshtatshme nga ana e edukatoreve ndaj 3-vjeçarit.

“Aktualisht zyrtarët policor po vijojnë punën për mbledhjen e të gjitha provave që janë të arritshme, intervistimin e personave që në çfarëdo rrethane dhe çfarëdo cilësie kanë mundur të jenë të implikuar në rast, po shqyrtohen raportet mjekësore, pamjet e publikuara si dhe po analizohen ato”, thuhet në njoftim.

Tutje, Policia ka njoftuar se veprimet policore po koordinohen me prokurorin e shtetit si dhe janë duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha agjencitë për mbrojtjen e fëmijëve dhe autoritetet tjera përkatëse.

“Për  ne siguria dhe mirëqenia e fëmijëve është ndër prioritetet kryesore por njëkohësisht jemi të përkushtuar për të kryer një hetim profesional dhe të paanshëm, për të zbardhur të vërtetën dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura bazuar në gjetjet e hetimit”, theksohet në komunikatën e Policisë.

Gjatë ditës,  drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha kishte njoftuar se edukatoret që pretendohen të jenë pjesë e këtij rasti po intervistohen nga Policia.

Ndërsa, Bajram Zogiani, avokati i edukatores N.M. e cila dyshohet të jetë e përfshirë në këtë ngjarje teksa ka treguar se intervistimi i N.M. nga Policia ka zgjatur 40 minuta, ai është shprehur se kjo çështje po hiperbolizohet.

“Kjo çështje është duke u hiperbolizuar, duke u zmadhuar për së tepërmi, së pari nga mediat mandej edhe nga personat tjerë, veçanërisht prindërit e fëmijës” – ka thënë avokati.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com i ka dërguar pyetje Inspektoratit të Arsimit dhe është në pritje të përgjigjes.

Për këtë rast kanë reaguar edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.