FOTO: KALLXO.com

Flet avokati i njërës prej edukatoreve në Fushë Kosovë: Kjo çështje është duke u hiperbolizuar

Bajram Zogiani, avokati i edukatores N.M. e cila dyshohet të jetë e përfshirë në ngjarjen ku dyshohet se në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovës është ushtruar dhunë ndaj një 3-vjeçari ka folur para mediave.

Teksa ka treguar se intervistimi i N.M. nga Policia ka zgjatur 40 minuta, avokati Zogiani është shprehur se kjo çështje po hiperbolizohet.

“Kjo çështje është duke u hiperbolizuar, duke u zmadhuar për së tepërmi, së pari nga mediat mandej edhe nga personat tjerë, veçanërisht prindërit e fëmijës” – ka thënë avokati.

“Akuzë nuk ka ende, edhe po dyshohet kishe është sjellë në mënyrë jo të mirë ndaj fëmijës, që nuk është e vërtetë, nuk ka kurrfarë baze. Është një punëtore 23-vjet punon në këtë institucion, asnjëherë nuk ka qenë në ndonjë procedurë disiplinore apo procedurë tjetër dhe çdo herë ka qenë si shembull për edukatorët e tjerë” – ka shtuar ai.

Sipas avokatit, fëmija nuk është tërhequr zvarrë por është ndaluar që të mos dalë jashtë objektit të çerdhes.

“Unë i kam pa me pamje me të gjitha, aty është vetëm një ndalesë, e cila i është bërë fëmijës në mënyrë që mos të dal jashtë objektit, pasi ai është në adaptim njëmujor, është që 15 ditë i vendosur në çerdhe. Nuk ka qenë tërheqje zvarrë, ajo ka qenë vetëm një ndalesë që kanë qenë edhe personat tjerë punonjës të çerdhes, që i kanë ndihmu edukatores, domethënë nuk ka qenë vetëm kjo.” – ka thënë avokati mes tjerash.

Po ashtu, Zogiani ka thënë se edukatoret nuk janë as në ndalim, as të arrestuara dhe se pritet përgjigjja nga prokurori.

“Fëmija ka hy në çerdhe në ora 08:00 edhe ka qëndru deri mbasdite. Të gjitha edukatoret edhe punëtoret e çerdhes kanë tentu që ta mbajnë me fëmijët e tjerë” – ka shtuar ai.

Sot, Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha kishte njoftuar se edukatoret që pretendohen të jenë pjesë e këtij rasti po intervistohen nga Policia.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com i ka dërguar pyetje Inspektoratit të Arsimit dhe është në pritje të përgjigjes.

Për këtë rast kanë reaguar edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

 

Dhuna ndaj 3 vjeçarit në çerdhen në Fushë Kosovë, reagon ministrja Nagavci